Historia tragjike e hipikut që sfidoi Stasin dhe humbi jetën

Nga: Katja Hoyer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Matthias Domaschk ishte vetëm 23 vjeç kur trupi i tij u gjet i varur në një tub për ngrohje në një burg të Stasit [shërbimi sekret i RDGj-së], më 12 prill 1981. Dy ditë më parë, Matthias - ose “Matz”, siç e thërrisnin miqtë - kishte hipur në trenin e shpejtë nga qyteti i tij i lindjes, Jena, drejt Berlinit Lindor - kryeqytetit të Gjermanisë Lindore ose të Republikës Demokratike [komuniste] të Gjermanisë, siç njihej zyrtarisht. Gjithçka që kishte dashur të bënte ishte të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje - por, nuk mbërriti kurrë.
Duke dyshuar se Matzi mund të kishte ndër mend të prishte Kongresin e X të Partisë së Bashkuar Socialiste (SED), që po mbahej atë fundjavë në Berlin, Stasi arrestoi atë dhe miqtë e tij gjatë rrugës. Dyzet e tetë orë më vonë, Matz ishte i vdekur. Përpjekjet për ta rikthyer në jetë ishin të kota. Stasi e regjistroi vdekjen si vetëvrasje, por shumë nga miqtë dhe të afërmit e tij dyshuan - dhe ende dyshojnë - se ka ndodhur diçka tjetër.
Por, kjo nuk është pika qendrore e Generation GDR: Truth, Freedom and One Man’s Last Journey [Gjenerata RDGj: E vërteta, liria dhe udhëtimi i fundit i një njeriu], libër i shkruar në gjermanisht nga Peter Wensierski dhe përkthyer në mënyrë të përkryer në anglisht nga Jamie Bulloch. Libri flet për jetën e Matthias Domaschkut dhe mbi atë që dihet me siguri për vdekjen e tij: Matz vdiq i dëshpëruar dhe i vetmuar, në një vend që ia kishte thyer shpirtin. Si gazetar me përvojë, Wensierski është në gjendje për ta hetuar këtë histori. Ai e nisi karrierën në vitin 1979, me reportazhe nga RDGj-ja, ndërsa ka kaluar dekada të tëra duke dokumentuar funksionimin e brendshëm të shtetit pas Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për shkak të përvojës së tij si gazetar, Wensierski përqendrohet te rrëfimi i lexueshëm dhe jo te ngarkesa akademike, duke hequr dorë nga shënimet në fund të faqes - pavarësisht se ka studiuar rreth 60 mijë faqe materiale arkivore - si dhe duke rindërtuar disa nga dialogët dhe proceset mendore të Matzit dhe personave pranë tij.
Rezultati është që Gjenerata RDGj lexohet si portret intim i kërkimit të Matzit për liri personale të shkatërruar nën makinerinë e një prej sistemeve më gjithëpërfshirëse të survejimit në historinë njerëzore. I mbështetur nga një rrjet policësh, mësuesish dhe informatorësh civilë, Stasi nisi të shkatërrojë jetën e Matzit shumë përpara se ajo të merrte fund. Nga këndvështrimi i regjimit, ai përfaqësonte tipin më të rrezikshëm të kundërshtarit: nuk donte të largohej nga Gjermania Lindore, por të qëndronte dhe ta reformonte atë. Me flokët e gjata, rrobat në stilin e hipikëve dhe një mënyrë jetese komunare, ai sfidonte idealet e mikroborgjezisë së brezit më të vjetër.

Si shumë të majtë të brezit të tij, Matzo nuk dëshironte që RDGj-ja të shpërbëhej dhe as të bëhej kapitaliste. “Fati që na ra në lindje ishte gjysma e Gjermanisë ku kishim më pak liri dhe më pak mundësi. Por, gjatë gjithë kohës shpresonim që e ardhmja ishte në anën tonë, se socializmi ishte shoqëria më progresive”, shkruan Wensierski, duke rindërtuar mendimet e Matzit. “Dinozaurët e SED-it që janë aktualisht në pushtet në Berlin, thjesht nuk e kanë kuptuar këtë si duhet”.
Kështu, Matzi nisi të bënte pyetje të rënda në shkollë. Si shumë të tjerë, edhe babai i tij ishte detyruar të anëtarësohej në partinë në pushtet, SED, në këmbim të një karriere të pandërprerë dhe privilegjeve të caktuara, si mundësia për të udhëtuar jashtë vendit për punë. Kur Matzi ishte 13 vjeç, pyeti mësuesit se pse babai i tij ishte detyruar të bashkohej kur të gjithë anëtarët e SED-it duhej ta bënin këtë nga bindja e sinqertë. Prindërit e tij u thirrën menjëherë në shkollë.
Më vonë, Matzi u përfshi në Junge Gemeinde, një organizatë rinore protestante, ku u njoh me njerëz me të njëjtat mendime - miq dhe të dashurën, njëkohësisht. Kur këngëtari dhe kritiku i regjimit, Wolf Biermann - i cili kishte emigruar nga Hamburgu në RDGj si adoleshent - u dëbua nga vendi në vitin 1976, Matz iu bashkua protestave të zëshme të artistëve dhe intelektualëve në të gjithë Gjermaninë Lindore, kundër këtij vendimi të regjimit. Ishte koha kur Stasi e mori për herë të parë në pyetje.

I përcaktuar për të mos u nënshtruar ndaj presionit, ai vazhdoi të mbështeste shokët e arrestuar. Udhëtoi në Çekosllovaki dhe në Poloni, ku u njoh me të rinj të tjerë me mendësi të ngjashme. Këtu, Wensierski vizaton një jetë të mbushur me idealizëm rinor. Momentet e lumturisë së pastër qëndrojnë pranë periudhave të thella të dëshpërimit. Stasi nuk e shmangi përcjelljen. Ata ia ngushtonin gjithnjë e më shumë hapësirën për të ndërtuar një jetë të lirë. Pak para përfundimit të maturës, Matz u përjashtua nga klasa gjë që ia mbylli rrugën për të hyrë në universitet.
Gjërat u bënë të papërballueshme për partneren e tij, Renate, e cila gjithashtu përballej vazhdimisht me ngacmimet e Stasit. Ajo vendosi, më në fund, të shpërngulej në Gjermaninë Perëndimore bashkë me vajzën e tyre të vogël, Julia. Në kohën kur Matzi u nis për udhëtimin fatkeq drejt Berlinit, më 10 prill 1981, Stasi dyshonte për veprimtari subversive deri në masën sa ta konsideronte si kërcënim për terrorizëm politik. Matz ishte qartazi i lidhur ngushtë me një rrjet miqsh dhe disidentësh - gjë që u bë e qartë pas vdekjes së tij, kur më shumë se 100 persona morën pjesë në varrimin e tij, pavarësisht përpjekjeve të Stasit për ta ndaluar ceremoninë.
Kjo ishte një diktaturë e drejtuar nga një brez “dinozaurësh” politikë, paranoja e të cilëve vinte nga një epokë tjetër. Vetë shefi i Stasit, Erich Mielke, ishte trajnuar në terrorizëm politik në Moskë në vitet ‘30 të shekullit XX, dhe kishte përmirësuar aftësitë e tij gjatë Luftës Civile në Spanjë. Tani ai drejtonte Stasin, duke parë ende hijet e sjelljeve të tij të dikurshme te një brez i ri i lindur në kohë paqeje dhe pa indoktrinimin stalinist.

Vetëm pak më shumë se një javë para se Matzi të vdiste në një nga burgjet e tij, Mielke mbajti një fjalim për stafin, ku shpjegoi bindjen e vet se ekzistonin gjashtë lloje qytetarësh - duke filluar nga ata që ishin haptazi “armiq” me një “qëndrim armiqësor-negativ”, deri tek ata “te të cilët Partia dhe shteti mund të mbështeteshin në çdo kohë”. Kjo e fundit ishte e vetmja kategori pozitive nga të gjashtat. Ishte pikërisht ky mosbesim i thellë ndaj vetë popullit që e shtynte diktaturën të kufizonte mundësitë jetësore për njerëzit si Matzi.
Sipas autorit, Matzi donte ta sfidonte autoritetin në çdo sistem. Lindi më 1957 dhe i përkiste brezit të intelektualëve që donin të çliroheshin “nga fryma autoritare e shoqërisë së pasluftës, duke luftuar kundër konformizmit dhe apatisë së prindërve”. Në kontrast me demokracitë perëndimore, RDGj-ja ofronte pak ose aspak hapësirë për mënyrat alternative të jetesës.

Në këtë aspekt, titulli i përkthimit anglisht nuk i bën nder librit. Nuk është një libër për një brez të tërë, por për ata që zgjodhën një jetë më ndryshe nga rrjedha kryesore. Për zhgënjimin e aktivistëve të të drejtave civile, shumica e njerëzve në RDGj thjesht përpiqeshin të vazhdonin jetën e duke i konsideruar njerëzit si Matzi si problematikë. Shumica e gjermanolindorëve bënin atë që mendonin se duhej bërë dhe kjo është arsyeja se pse nuk pati kryengritje mes shpërthimeve të mëdha të pakënaqësisë në vitet 1953 dhe 1989. Prandaj, libri i Wensierskit është për pamundësinë e një jete ndryshe në RDGj, për armiqësinë që përjetonin ata që nuk pranonin të përshtateshin - jo vetëm nga Stasi, por edhe nga bashkëmoshatarët e tyre.
Në kërkimet për këtë histori, Wensierski kujtoi “punën e tij mbi vitet 1950-‘60 në Gjermaninë Perëndimore, kur pothuajse një milion të rinj u dërguan në shtëpi fëmijësh sepse nuk përputheshin me normën e dëshiruar”. Qoftë në Gjermaninë Lindore, Perëndimore, Britani apo Amerikë, thotë Wensierski, të rinjve me flokë të gjatë si Matzi u thoshin: “Lahu! Gjej ndonjë punë”! Por, nuk ka barazi morale midis qëndrimeve në Gjermaninë Perëndimore dhe mënyrës se si u thye shpirti i Matzit nga RDGj-ja - dhe Wensierski nuk pretendon një gjë të tillë.
Megjithëse përshkruan ngjarjet që ndodhën pothuajse një gjysmë shekulli më parë, Gjenerata RDGj lexohet si një tregim paralajmërues për kohën tonë. Gjatë intervistave me 30 ish-agjentë të Stasit, autori mbeti i tronditur nga fakti se ata që “shkatërruan jetën e të tjerëve” ende besonin se ishin pjesë e ndërtimit të një shoqërie më humane. Armiqtë e tij nuk janë figura hijerënda me mantele gri, por qenie komplekse njerëzore që bënë atë që bënë për oportunizëm, idealizëm apo nën trysni.
Sot jetojmë në një epokë ku shumë njerëz në pozita autoriteti ndihen moralisht superiorë dhe mendojnë se pikëpamjet dhe mënyrat e tjera të jetesës nuk duhet të shfaqen apo inkurajohen. Edhe sot ka zëra që shuhen, karriera që shkatërrohen dhe mundësi të jetës që zbehen - gjithmonë në emër të një të ardhmeje “më të mirë”. Gjenerata RDGj sjell një paralajmërim të fuqishëm nga historia - kundër kufizimit të lirive individuale në emër të një të mire të supozuar më të madhe. /Telegrafi/

















































