"Hera e parë që ishte në stadium, është motiv shtesë për mua" - Cluj publikon pamjet e Korenicës me nënën e tij pas ndeshjes

Mesfushori sulmues i Kosovës, Meriton Korenica, ka shkëlqyer sërish në kampionatin rumun, duke shënuar një gol të veçantë në fitoren 3-0 të Clujit kundër liderit të ligës, Rapid Bukuresht.
Korenica realizoi golin e tretë të takimit të së dielës mbrëma, ndërsa pas ndeshjes e dedikoi atë për personin më të rëndësishëm në jetën e tij – nënën.
Ishte një moment emocional për 26-vjeçarin, pasi nëna e tij për herë të parë kishte udhëtuar për ta parë live në stadium.

“Nëna ime ishte motivim shtesë, ishte hera e parë që erdhi të më shihte në stadium këtu. Ajo zakonisht ka frikë të shikojë ndeshje në kohë reale, por ajo bëri një përjashtim. Ky gol është për nënën time”, deklaroi Kore.
Ai po ashtu shtoi se për Clujin rëndësi ka vetëm rezultati, duke folur edhe për objektivat e klubit.
“Ne vazhdojmë luftën për play-off. Nuk duam të ndalemi këtu. Falënderoj shokët e mi të ekipit dhe trajnerin dhe shpresoj të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë”, deklaroi ai.
Korenica numëron katër gola në 16 ndeshje të kampionatit dhe dy asistime, ndërsa në të gjitha garat ka arritur në pesë gola dhe shtatë asistime, duke u bërë një nga lojtarët më vendimtar të skuadrës.
Aktualisht, Rapidi kryeson renditjen me 35 pikë, ndërsa Cluji mban pozitën e 11-të me 19 pikë, duke vazhduar luftën për zonën e play-off. /Telegrafi/



















































