Helmimi me monoksid karboni – simptomat dhe ndihma urgjente paraspitalore

Monoksidi i karbonit është një “vrasës i heshtur”, pa erë, pa ngjyrë dhe pa shije, i cili vepron shpejt dhe shpesh pa u vërejtur. Njohja e burimeve të rrezikut, simptomave klinike dhe masave të ndihmës urgjente paraspitalore është thelbësore për parandalimin e pasojave fatale
Prof. ass. dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente – Prishtinë
Monoksidi i karbonit (CO) është gaz pa erë, pa ngjyrë dhe pa shije; prania e tij në hapësira dhe lokale nuk mund të vërehet. Përveç këtyre karakteristikave, ai karakterizohet me depërtueshmëri të lartë, prandaj helmimet me monoksid karboni janë të mundshme edhe në ambientet që ndodhen më lart se burimi i gazit.
Monoksidi i karbonit krijohet nga djegia e materialeve që përmbajnë karbon, pa prezencë të mjaftueshme të oksigjenit, gjegjësisht të rrezeve të dritës.
Në natyrë rrallë haset në gjendje të pastër; zakonisht gjendet si përbërës i gazrave të ndryshëm, p.sh. në gazrat e ndriçimit që përmbajnë 6–10% monoksid karboni, si dhe në tym, i cili përmban 0.1–3% monoksid karboni.
Me djegien e celulozës formohen sasi të mëdha të monoksidit të karbonit (deri 46%), ndërsa në gazrat eksplozivë nga 3–10%, madje deri në 60%.
Në gazrat e djegura nga motorët, monoksidi i karbonit merr pjesë rreth 7%.
Simptomat e helmimit me CO me rritjen e nivelit të karboksihemoglobinës (COHb)
- 10–20: Kokëdhimbje, dispne, zvogëlim i memories, pengesa, dispne e lehtë
- 20–30: Ndjeshmëri, kokëdhimbje, ndryshim i funksionit të SNQ, dëmtim i pamjes, çrregullim i aftësisë së gjykimit
- 30–40: Kokëdhimbje, çrregullim i pamjes, ushtimë në veshë, pengesa
- 40–50: Pengesa, halucinacione, humbje e vetëdijes, konvulsione, ndryshime në sistemin nervor qendror
- 50–60: Koma, takikardi, takipne, ngjyrë e mavijosur, puls filiform
- 60–70: Koma e thellë, ndalim i frymëmarrjes, konvulsione, inkontinencë
- 80: Vdekje
Helmimet në amvisni ose kushte shtëpiake
Rreziku nga helmimi me monoksid karboni (CO) është prezent pothuajse në çdo hapësirë: furra, shpella, garazhe, shkritore metalesh, ndërtimtari, ambiente të ngushta, të pandriçuara dhe të paajrosura, si dhe në shtëpiza të ndërtuara prej metali ku lirohet CO etj.

Duhet potencuar se monoksidi i karbonit lirohet edhe gjatë shpërthimeve në xeherore dhe shpesh bëhet shkaktar i vdekjes së xehetarëve në fatkeqësi. Rreziqet kërcënojnë edhe në amvisni: nga përdorimi i kaloriferëve në dhoma dhe banjo, gjatë përdorimit të gazrave ndriçues, si dhe gazrave nga bombolat e butanit.
Në amvisni, helmimi me monoksid karboni mund të vijë edhe nga defektet në oxhaqe, si dhe gjatë muajve të dimrit nga përdorimi i shporeteve dhe stufave me qymyr.
Të shpeshta janë helmimet gjatë larjes, kur p.sh. gazi digjet për një kohë të gjatë në ambient të ngushtë; në këtë rast harxhohet oksigjeni dhe më pas vazhdon djegia jo e plotë, gjegjësisht në vend të dyoksidit të karbonit (CO₂) formohet monoksidi i karbonit (CO).
Rreziku shfaqet edhe kur hapësirat e vogla ngrohen me propan-gaz, sepse për shkak të shpenzimit të oksigjenit vjen deri te djegia jo e plotë e propanit dhe krijimi i sasive të mëdha të monoksidit të karbonit.
Është e nevojshme që këto ambiente të ventilohen shpesh, gjegjësisht të ndriçohen me rreze dielli përmes hapjes së dritareve.
Njohja e simptomave dhe pasqyra klinike
Monoksidi i karbonit është gaz inert, pa shije, pa erë dhe pa ngjyrë; prezenca e tij mund të regjistrohet vetëm në përbërjen e gazrave të tjerë që kanë erë dhe përmbajnë edhe CO.
Për fat të keq, në fatkeqësi prezenca e monoksidit të karbonit vërehet vetëm me shfaqjen e simptomave të para të helmimit, të cilat janë:
- Kokëdhimbje e fortë, errësim bilateral i pamjes, dobësim i përgjithshëm dhe më vonë marramendje me humbje të vetëdijes
- Nauze
- Takikardi, aritmi, ndryshime iskemike të zemrës në EKG
- Edemë pulmonare, hiperpne, hipertermi
- Acidozë metabolike, asfiksi, kolaps
- Rritje e SGOT
- Vdekje në 25% të rasteve
- Pasoqa neurologjike në rastet e rënda të shpëtuara
- Bronkopneumoni
Si ndodh helmimi me monoksid karboni
Monoksidi i karbonit lidhet me hemoglobinën dhe ka afinitet 150–300 herë më të madh se oksigjeni. Prandaj, në ambiente ku janë të pranishëm oksigjeni dhe monoksidi i karbonit, CO lidhet shumë më shpejt me hemoglobinën, duke formuar karboksihemoglobinë (COHb). Ky komponim ka ngjyrë të kuqe të theksuar.
Duhet theksuar se monoksidi i karbonit lidhet edhe me mioglobinën, e cila përfaqëson rezervuarin e oksigjenit për qelizat muskulore dhe ka strukturë kimike të ngjashme me hemoglobinën.
Ky fakt shpjegon dobësimin e muskujve te personat e helmuar, të cilët shpesh nuk kanë aftësi të ecin drejt daljes apo të hapin dritaret, edhe kur bëhen të vetëdijshëm se me ta diçka nuk shkon.
Helmimi me monoksid karboni varet nga disa faktorë:
1. Koncentrimi i CO në ajër
- 0.02–0.05%: dozë toksike kufitare
- 0.1%: vdekje pas frymëmarrjes disaorëshe
- 0.2%: vdekje pas rreth një ore
- 6%: vdekje pas rreth 15 minutash
2. Kohëzgjatja e ekspozimit
3. Frekuenca e frymëmarrjes
4. Veçoritë individuale (gjendja shëndetësore, mosha, gjinia, anemia)
Ndihma urgjente
1. Thirrni ndihmën e shpejtë mjekësore (194, 112)
2. Largoni viktimën nga burimi dhe evakuojeni në ajër të pastër
3. Ndihmoni viktimën të marrë frymë normalisht dhe monitoroni shenjat vitale
Veprimet e para
- Viktimës duhet t’i jepet 100% oksigjen me rrjedhë të lartë, me maskë me rezervuar, për të përshpejtuar përmirësimin.
- Nëse është e nevojshme, aplikohen masat e avancuara të sigurimit të rrugëve të frymëmarrjes.
- Personat te të cilët dyshohet helmim me monoksid karboni duhet të transportohen sa më shpejt në spital.
Ndihma urgjente dhe trajtimi
- I helmuari duhet të largohet sa më shpejt nga hapësirat e ndotura; frymëmarrja gojë më gojë e zgjatur ose endotrakeale dhe masazhi kardiak aplikohen duke shkaktuar sa më pak lëvizje gjatë transportit, për të kufizuar konsumin e O₂.

- Të mbahet i helmuari ngrohtë.
- Kujdes për funksionet respiratore dhe cirkulatore; në rast arresti kardiak: adrenalinë 0.25 mg i.v., goditje transthorakale, elektrostimulim (defibrilator).
- Në rastet më të rënda merret në konsideratë ndërrimi i gjakut, hemotransfuzioni në raste pa edemë pulmonare.
- Në edemë pulmonare: Salas ose glicerol (glycerolum) 2 g/kg në 24 h, glukozë 17% 500 ml. Antibioterapi dhe vitaminoterapi, duke përfshirë vitaminën E (tocopherolum 50 mg i.m.).
- Mund të fillohet heparinizimi me 5000 njësi, 2–3 herë në ditë, kundër trombozave.
- Hidrokortizon 100–500 mg në perfuzione; më pas prednizon nga goja.
- Në format e lehta, mjafton nxjerrja në ajër të pastër dhe frymëmarrja e shkurtër artificiale.
- Monoksidi i karbonit lirohet në gjendje të pandryshuar nga qarkullimi i gazrave; lidhja e tij me hemoglobinën është labile, prandaj ndihma urgjente energjike shpesh ka efekt pozitiv.
Parandalimi i helmimit me monoksid karboni
- Ajrosni rregullisht kuzhinat, banjat, dhomat e kaldajave dhe garazhet.
- Mos e lini makinën të punojë në garazh të mbyllur.
- Mos e mbyllni banjën gjatë dushit nëse përdoret bojler me gaz.
- Oxhaku duhet të kontrollohet një herë në vit nga profesionistë të autorizuar.
- Servisoni rregullisht pajisjet që punojnë me gaz.
- Rekomandohet instalimi i detektorëve të monoksidit të karbonit.
- Asnjëherë mos ndizni qymyr në ambiente të mbyllura -vdekja mund të ndodhë brenda pak minutash.
/Telegrafi/




















































