Helmohen disa nxënës në Vitomiricë të Pejës, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

Dhjetëra nxënës të shkollës fillore “7 Shtatori” në Vitomiricë të Pejës dyshohet janë helmuar të hënë në një furrë buke.
Nga informatat e para që ka marrë Telegrafi, bëhet fjalë për disa nxënës, ndërsa kanë marrë trajtim në QMF të Vitomiricës.
Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka konfirmuar se rasti është në hetim.
“Gjatë ditës së djeshme, Policia ka marrë informatën se disa nxënës dyshohet se janë helmuar në një furrë në afërsi të shkollës ‘7 Shtatori’”, tha Gashi.
“Policia ka intervistuar drejtorin e shkollës, po ashtu edhe për rastin është njoftuar Prokuroria”.
“Nxënësit kanë marrë tretmanin e duhur në QKMF në Vitomiricë dhe janë liruar për në shtëpi”.
“Rasti është duke u hetuar nga Policia”, shtoi zëdhënësi për Rajonin e Pejës. /Telegrafi/

















































