Hasani kritikon Osmanin për deklaratën rreth Trumpit: E pavend dhe e papjekur politikisht

Të pavend dhe shfaqje të papjekurisë politike e konsideron ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaratën e presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se presidenti amerikan, Donald Trump, javët e fundit ka parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës, raporton KosovaPress.
Pavarësisht se e para e shtetit, të enjten, deklaroi se në muajin maj kishte informacione specifike se Serbia po përgatitej për një përshkallëzim të situatës, Hasani thekson se presidentja Osmani nuk mund të flasë në emër të një shteti të tretë, sado mik që të jetë SHBA për Kosovën.
Hasani, në një intervistë për KosovaPress, tha se deklaratat e fundit të presidentit Trump, ku përmend Kosovën dhe Serbinë, po bëhen për shkak se çështjet e sigurisë globale janë përgjegjësi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten deklaroi se në fund të muajit maj kanë marrë informacione specifike për veprime konkrete të Serbisë për destabilizimin e Kosovës. Ajo theksoi se për këtë çështje ka informuar aleatët e vendit, madje përmendi edhe një deklaratë të ministrit në detyrë, Ejup Maqedonci, ku bëhej e ditur se ushtria serbe ishte pozicionuar afër kufirit me Kosovën.
Megjithatë, Osmani theksoi se qytetarët nuk kanë arsye për panik apo shqetësim, pasi institucionet e vendit e kanë situatën nën kontroll.
“Unë mendoj që është një deklaratë e papjekur, sepse nuk mundet shefi i një shteti të flasë në emër të një shteti të tretë, sado mik që të jetë ai. Izraeli nuk flet në emër të Amerikës, edhe pse janë aleatët më të ngushtë. Apo shikoni Francën, Gjermaninë, Britaninë – asnjëra nuk flet në emër të tjetrit, pavarësisht aleancave. E dyta, ajo deklaratë i shkon për shtat palës serbe, sepse zonja Osmani dhe qeveria, duke e zhvendosur diskursin publik pothuajse 90% të kohës te lufta dhe çështjet e sigurisë, po e paraqesin Kosovën si një problem sigurie, në nivel me Republikën Serbe. Kjo sjellje, fatkeqësisht, shihet edhe në mënyrën se si vizitat ndërkombëtare bëhen: Serbi, Kosovë, Republikë Serbe – si të ishin të një rangu”, thekson ai.
Sipas tij, rezervimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të komentuar deklaratat e presidentit Trump është një veprim i mençur, pasi nuk mund të interpretohen apo komentohen deklaratat e një presidenti të një vendi të tretë, sado mik që ai të jetë.
“Po, është një përgjigje e mençur. Pikërisht kështu duhet vepruar. Në çështjet e sigurisë, ajo që ka thënë kryeministri Kurti është e saktë, sepse nuk mund të flasësh në emër të një presidenti të një vendi tjetër, sado mik që të jetë ai për ty. Është tërësisht e papjekur”, shton ai.
“Presidenti Trump e përmend Kosovën dhe Serbinë sepse çështjet e sigurisë globale janë përgjegjësi e SHBA-së. Edhe Kina, edhe Rusia (edhe pse tani është bërë pjesë e problemit), edhe Evropa apo Izraeli, kanë përgjegjësi për rajone të caktuara, në varësi të interesave dhe ndikimit. Por, siguria globale, përfshirë edhe rajonin tonë, është në thelb përgjegjësi e Amerikës. Kjo nuk është përgjegjësi e shtetit të Kosovës – as nuk i takon të flasë në atë emër”, përfundon ai. /KP/







































