LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Prekazi bashkon shumë histori për shqiptarët

Haradinaj: Prekazi bashkon shumë histori për shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe tek varret e Tahir dhe Nebih Mehës në përvjetorin e rënies së tyre.

“Rezistenca dhe lufta heroike e Tahir dhe Nebih Mehës tregoi se shqiptarët nuk do të frikësohen më para regjimit të atëhershëm që burgoste dhe maltretonte rininë e Kosovës”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas homazheve te varri i Tahir dhe Nebih Mehës, në 37 vjetorin e rënies.

Haradinaj tha se Prekazi bashkon shumë histori për shqiptarët.


“Edhe më herët ishte Ahmet Delia, tani është Tahiri e Nebihi, por ai që vërtet na nderon gjithë neve si komb është komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari tha se është obligim i të gjithë neve t’i nderojmë dhe respektojmë heronjët dhe dëshmorët tanë.  Ai tha se rënia e tyre 37 vjet më parë i ka motivuar të rinjët dhe të rejat se si duhet atdheu.

Ilir Meha, nipi i Tahir Mehës, falënderoj kryeministrin Haradinaj për ardhjen në Prekaz, për të nderuar gjakun e derdhur për liri të heronjve të parë të luftës së Shaban Polluzhës.

Kryeministri Haradinaj vizitoi edhe themelet e Kullës  së Rezistencës së Tahir e Nebih Mehës dhe Kullën e familjes Meha dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi flamurin kombëtar nipit të Tahirit, Ilir Mehës. /Telegrafi/