Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se sot Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës ka mbajtur mbledhjen e 180-të, ku është vendosur për vazhdimin e procesit të brendshëm zgjedhor në të gjitha nivelet e organizimit, pas pezullimit më 6 mars 2026.

Sipas njoftimit, në përputhje me vendimin e datës 12 shkurt 2026, procesi i brendshëm zgjedhor do të rifillojë më 27 mars 2026 dhe do të përmbyllet më 24 maj 2026, me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm të AAK-së.


Nga sot, të gjitha degët në nivel vendi janë udhëzuar që të nisin përgatitjet dhe organizimin e këtij procesi, në përputhje me aktet e brendshme të partisë.

Në njoftim theksohet se ky proces synon afrimin me qytetarët, realizimin e reformave të brendshme dhe fuqizimin e strukturave partiake, me qëllim rritjen e përfaqësimit dhe konsolidimin e mëtejshëm të Aleancës në gjithë vendin.