Sot u bënë 24 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit”.
Njëri ndër protagonistët kryesor të UÇK-së, Daut Haradinaj ka thënë se ngjarjet e marsit 1998 shënuan kthesën historike për liri e pavarësi.
‘Sot, me nderimin më të lartë, kujtuam të rënët në Epopenë e Dukagjinit si dhe fillimin e sulmeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe. Po ashtu, kujtuam dhe nderuam gjithë dëshmorët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës’, shkroi Haradinaj në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.
Me rastin e 24 vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”, personalitete të shumta nga skena politike por edhe të fushave të tjera kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Gllogjan./Telegrafi/