Hapet panairi për promovimin produkteve vendore “Toka jonë, Shija Juaj”

“Toka jonë, Shija Juaj” tashmë një panair tradicional këtë vit u organizua në Prishtina Mall, duke mbledhur në një vend prodhues vendorë, konsumatorë, institucione dhe partnerë zhvillimorë me qëllim promovimin e konsumimit të produkteve vendore dhe fuqizimin e prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe më gjerë.

Ky panair u organizua në kuadër të programit #EREA, i cili implementohet nga Caritas-i Zviceran, financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe realizohet në bashkëpunim me shoqatat Pepeko, Organika dhe Mjedra e Kosovës. Ky partneritet i gjerë është dëshmi se vetëdijesimi për rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore është bërë prioritet i përbashkët institucional, zhvillimor dhe shoqëror.

Në fjalën e saj, znj Astrid Wein, Drejtoreshë e Caritas-it Zviceran në Kosovë, tha “Është kënaqësi për mua të marr pjesë në ngjarje si kjo. Nuk është vetëm për të promovuar produktet, por edhe për të çmuar dhe lavdëruar punën e mirë që po bëhet në prodhimin e produkteve bujqësore.”

Duke folur për rëndësinë e kësaj fushate, z. Imri Demelezi, Zv/Minister në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, theksoi “Fushata juaj e cila ka filluar nga nxënësit e shkollave tregon një strategji të menduar, sepse produkteve tona po ju sigurohen konsumatorë që nga vegjëlia, të cilët mësohen me shijen e produkteve tona. Dhe po ashtu siguron që zhvillimi ekonomik dhe ekonomia qarkore e kanë orientimin e duhur.”
Nga ana e tij, z. Alvaro Costa, CEO i Prishtina Mall, deklaroi “Ju përgëzoj për organizimin dhe prurjen e produkteve nga i gjithë rajoni i Kosovës. Jam shumë krenar që Prishtina Mall është mikpritës i këtij eventi.”

Vizitorët e shumtë të pranishëm në Prishtina Mall patën mundësi të shijojnë produkte të freskëta përmes degustimeve dhe të njihen më afër me llojllojshmërinë e prodhimeve të ekspozuara nga prodhuesit vendorë.
Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua aktiviteteve për fëmijë, ku përmes lojërave u krijua një hapësirë argëtuese dhe edukative, duke i angazhuar ata në mënyrë aktive.

Fushata u shoqërua gjithashtu me aktivitetet paraprake të mbajtura në shkolla të ndryshme në Gjilan, Prishtinë, Ferizaj dhe Vushtrri, ku nxënësit u informuan për rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore, vlerat ushqyese të tyre dhe kontributin që ato japin për zhvillimin ekonomik dhe shëndetin e komunitetit. Këto aktivitete edukative synuan të mbjellin tek të rinjtë kulturën e konsumimit të produkteve vendore që nga mosha e hershme.
Aktiviteti vazhdon edhe nesër (e diel), duke prezantuar produktet vendore.

















































