Sot në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është hapur biblioteka angleze “The Story Corner”.

Ky projekt është financuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, përmes Programit të Granteve të Vogla të Bordit të Shkëmbimit Arsimor Shtetet e Bashkuara-Kosovë (USKEB), shkruan Telegrafi.


Kjo bibliotekë përbëhet nga pothuajse 50 tituj në anglisht, që përfshin letërsinë klasike, letërsinë moderne e të tjerë.

"Në një ceremoni të organizuar në këtë rast, përveç studentëve ishin të pranishëm edhe prorektorët e UIBM dhe zyrtarë nga administrata. Projekti i bibliotekës dhe ngjarja e hapjes u planifikuan dhe zbatuan nga asistentet amerikane të Fulbright-it për mësimin e anglishtes Audra Pesko (Universiteti i Mitrovicës) dhe Peyton D’Anthony (Universiteti i Prishtinës)", thuhet në njoftim

Në këtë  ngjarje u shfaqën edhe libra të dhuruar nga Suedia, Zvicra dhe Italia.

Në shenjë respekti për realizimin e këtij projekti, prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, ka ndarë mirënjohje  për dy asistentet amerikane. /Telegrafi/