Hansi Flick jep mendimin e tij të sinqertë për fitoren e thellë ndaj Real Sociedadit

Barcelona e vazhdoi formën fantastike në vitin 2025 me një fitore të thellë ndaj Real Sociedadit pasditen e së dielës. Është një rezultat i cili është një vazhdimësi e formës së mirë të blaugranasve, diçka që ishte e nevojshme para duelit të parë ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve. Misioni i Barcelonës u bë edhe më i lehtë kur kapiteni i Sociedadit, Aritz Elustondo u ndëshkua me karton të kuq pas 16 minutave lojë, andaj Hansi Flick e ka pranuar se ky moment ndryshoi gjithçka. “Kartoni i kuq e ndryshoi ndeshjen shumë. Ata janë një skuadër e mirë, por mendoj se ne bëmë presion tek ata dhe e merituam rezultatin”.

“Ndoshta me pak më shumë disiplinë ne do të shënonim edhe disa gola të tjerë por nuk ndodhi. Jam i lumtur për Casado dhe Gerard Martin, të cilët shënuan golat e tyre të parë”, ka deklaruar Flick.
Robert Lewandowski ishte në mesin e golashënuesve për Barcelonën dhe në këtë mënyrë ai e rriti epërsinë ndaj rivalëve të tij në garën për ‘Pichichi’. “Për një numër nëntë, të shënosh është gjithmonë e rëndësishme. Është e vërtetë që ai pati pak fat, por ai është gjithmonë aty dhe për të është e rëndësishme”, përfundoi gjermani./Telegrafi/






















































