Hamas njoftoi se u kishte paraqitur ndërmjetësuesve një përgjigje ndaj një propozimi të bërë nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, lëvizja më konkrete drejt një marrëveshjeje armëpushimi që nga marsi.

Në një deklaratë, grupi deklaroi se, sipas kësaj marrëveshjeje, do të lironte 10 pengje të gjallë dhe do të dorëzonte kufomat e 18 personave të tjerë në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.


Përgjigja përfshinte gjithashtu një kërkesë për përfundimin e plotë të luftës, e cila ka qenë një vijë e kuqe për Izraelin deri më tani.

Kjo përgjigje nga Hamasi duket e ngjashme me një version të mëparshëm të marrëveshjes, i cili thoshte se grupi do të lironte 10 pengje dhe do të dorëzonte eshtrat e disa të tjerëve gjatë një armëpushimi në këmbim të 1,100 të burgosurve palestinezë.

"Ky propozim synon të arrijë një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe të sigurojë shpërndarjen e vazhdueshme të ndihmave për popullin tonë dhe familjet tona në Gaza", tha Hamasi në një deklaratë, duke vënë në dukje se vendimi u mor "pas konsultimeve kombëtare".

Çfarë lloj propozimi është ai?

Propozimi SHBA-së thuhet se përfshin një ndërprerje 60-ditore të armiqësive, rritje të përpjekjeve diplomatike për një paqe afatgjatë dhe garanci nga Izraeli se nuk do të rifillojë ofensivën e tij pas lirimit të pengjeve - gjë që e bëri tashmë një herë në mars.

Negociatorët izraelitë e kanë pranuar tashmë propozimin, por reagimi i parë i Hamasit ishte i përmbajtur, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Të premten, u njoftua se grupi po konsultohej me fraksionet e tjera palestineze për një plan armëpushimi.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim tha se propozimi "nuk përmbush asnjë nga kërkesat e popullit", duke përfshirë heqjen e bllokadës humanitare që ka çuar në uri.

Një reagim i tillë shkaktoi reagime të ashpra nga Izraeli.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz kërcënoi Hamasin me "shkatërrim" nëse nuk e pranonte marrëveshjen.

"Vrasësit e Hamasit tani duhet të zgjedhin: të pranojnë kushtet e marrëveshjes për të liruar pengjet - ose të shkatërrohen", tha Katz.

Ndryshe, armëpushimi i mëparshëm u shemb në mes të marsit, kur Izraeli refuzoi të kalonte në një fazë të dytë të marrëveshjes që mund të kishte çuar në një fund të përhershëm të luftës, dhe në vend të kësaj rifilloi ofensivën. /Telegrafi/