Goditja e Usyk në xhirim të ngadalësuar tregon më së miri fuqinë e ukrainasit që i dha nokaut Daniel Duboisit

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka konfirmuar sërish dominimin e tij në divizionin e peshave të rënda, duke unifikuar të gjitha rripat e kampionatit për herë të dytë me një fitore mbresëlënëse ndaj Daniel Dubois, në një mbrëmje boksi të zhvilluar në Londër.
Usyk arriti fitoren me nokaut teknik në raundin e pestë, duke kontrolluar ndeshjen nga fillimi deri në fund. Me këtë triumf, ai regjistroi fitoren e tij të 24-të në karrierë, duke mbetur i pamposhtur.
Në raundin e pestë, Usyk e rrëzoi për herë të parë Duboisin me një kombinim goditjesh të sakta. Pas ngritjes së britanikut, Usyk reagoi menjëherë me një tjetër seri goditjesh, duke e përmbyllur me një goditje të fuqishme në mjekër, që e detyroi gjyqtarin të ndërpriste ndeshjen.
Fitorja ndaj Dubois vjen pas sukseseve ndaj Tyson Fury dhe Anthony Joshua, duke përforcuar statusin e Usykut si kampioni i padiskutueshëm në këtë kategori. Ai tashmë është njeriu që ka mposhtur tre nga emrat më të mëdhenj të peshave të rënda në dekadën e fundit.
Edhe pse 38 vjeç, Usyk ka dëshmuar se mosha për të është vetëm një numër. Pas ndeshjes, ai deklaroi me humor: "Jam ende një djalë i ri. Kjo është vetëm fillimi për mua."
Me të gjitha rripat në pronësi dhe pa humbje në rekord, sfida e radhës për Usyk do të jetë gjetja e një rivali të denjë, një detyrë që duket gjithnjë e më e vështirë për boksierët aktualë të kategorisë. /Telegrafi/



















































