LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi ndaj Shkumbin Sekiraqes, i dëmtuari-dëshmitar: “Ka shtënë para këmbëve të mija, cpirrat e asfaltit më kanë rënë në trup”

Gjykimi ndaj Shkumbin Sekiraqes, i dëmtuari-dëshmitar: “Ka shtënë para këmbëve të mija, cpirrat e asfaltit më kanë rënë në trup”

Në Gjykatën e Prishtinës më 27.11.2024 ka vazhduar gjykimi ndaj Shkumbin Sekiraqës lidhur me akuzën për plagosjen e Pajtim Gashit në mars të vitit 2024, me ç’rast ka dëshmuar vetë Pajtim Gashi si dhe dëshmitari tjetër Jeton Quka.

Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, akuzohet për 3 vepra penale, tentim vrasje, armëmbajtje pa leje e shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Përveç tij i përfshirë në këtë rast është edhe M. H., i cili nga prokuroria po akuzohet për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Seanca nisi me një kërkesë nga ana e Pajtim Gashit i cili kërkoi që gjatë dhënies së dëshmisë së tij për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe humbjes së vëllait të tij të mos qëndrojë në sallë i akuzuari Shkumbin Sekiraqa.


Kjo kërkesë nuk u kundërshtua nga asnjë palë ndaj si përfundim trupi gjykues e miratoi.

Pajtim Gashi rrëfeu se plagosja i kishte ndodhur gjatë më 04.03.2024 nga një person asokohe i panjohur për të, të cilin më vone e kishte kuptuar se ishte Shkumbin Sekiraqa, derisa ai po kthehej nga spitali në zyre.

“Kom hyrë në zyre në ora 08:00 si gjithmonë, më ka kalu një Audi e kuqe – ka ndejt aty dikund 30-40 sekonda, ka vazhduar ka ecë, u kthy prapë. Kam dalë nga zyra kam vazhdu tek punishtja. Edhe ai personi ish ndalë aty, afër punishtes e kam vërejtur të ndalur Audi-në e kuqe me një person brenda. I ulur në pozitën e ngasësit i cili në atë moment po bisedonte me dikë tjetër”, ka rrëfyer Pajtim Gashi.

Më tej Gashi ka deklaruar se ngasësi i AUDI-së, i akuzuari Shkumbin Sekiraqa e kishte hapur xhamin dhe me fjalor banal i ishte drejtuar me fjalët “Çka k*** po kqyrë?”.

Gashi tha se ishte munduar t’i injorojë fjalët por pas pak çastesh kishte ardhur Robert Llumnica dhe papritmas ngasësi i AUDI-së e kishte njxerrë nga mbrapa armën duke e qëlluar 7-8 herë para këmbëve.

“Ka shtënë para këmbëve të mija, cpirrat e asfaltit më kanë rënë në trup”, tha i dëmtuari, dëshmitari Pajtim Gashi.

Më tej Gashi përmendi se ishte qëlluar me grushte nga Robert Llumnica prej goditjeve të të cilit ishte rrëzuar në tokë dhe aty ishte qëlluar me armë nga Shkumbin Sekiraqa në këmbën e djathtë. Aty Pajtim Gashi tha se kishte tentuar të ngritej por ishte qëlluar me “qykë të alltisë” nga ana e Sekiraqës.

Gashi deklaroi se ngjarja kishte përfunduar me largimin e tij nga vendi i ngjarjes nga ku kishte vazhduar për në QKUK.

I dëmtuari-dëshmitari disa herë përmendi se nuk i kishte njohur më parë Shkumbin Sekiraqën dhe Robert Llumnicën,. Ai tha se të njëjtit i kishte identifikuar vetëm pas publikimeve në media të cilat për më tepër ia kishin treguar familjarët e tij.

Kryetari i trupi gjykues Naser Foniqi e siguroi Sekiraqën se do të pajiset me procesverbalin që përmban dëshminë e Gashit dhe në seancën tjetër do të ketë mundësi t`i japë sqarimet e veta.

Edhe dëshmitari Jeton Quka deklaroi se nuk e njihte para ngjarjes të akuzuarin dhe nuk kishte pasur probleme me Shkumbin Sekiraqën.

Ai rrëfeu se në kohën kur kishte ndodhur ngjarja kishte qenë duke punuar tek kompania “Premtimi”.

“Kam qenë në zyre me Pajtimin duke pirë kafe prej atij momenti unë e kam lënë Pajtimin dhe kam shkuar tek punëtorët në objekt i cili ndodhet 10 metra larg zyrës, mas 7-10 min kam ni krismë të armës dhe, jam lëshuar poshtë dhe jam dalë i kam pyet punëtorët çka ka ndodh, punëtorët thanë Pajtimi me dikë u rrah, kur kam shkuar në vend të ngjarjes nuk e kam gjetë Pajtimin, këta tjerët Shkumbinin e personin me pik-up e kam parë duke shkuar poshtë”, ka deklaruar ndër të tjera dëshmitari Jeton Quka.

Më tej Quka përmendi se e kishte dërguar tek mjeku Pajtim Gashin për shkak se e kishte kokën e gjakosur, ndërkohë gjatë rrugës Gashi i kishte treguar se e kishte këmbën e plagosur gjithashtu.

Pajtim Gashi vendosi të përfaqësohet nga avokatja Donikë Krasniqi në këtë seancë.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet edhe dëshmitari Skënder Hoti, por i njëjti i konfirmoi gjykatës se për shkak se ndodhet në spital nuk mund të vijë të dëshmojë.

Shkumbin Sekiraqa dhe M. H. më 10.09.2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Prokurorisë.

Ky rast po gjykohet nga trupi gjykues në përbërje të: Naser Foniqi – kryetar, anëtarët Gazmend Bahtiri dhe Gëzim Ademi.

Dosja e Prokurorisë

Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin. Ky i fundit mbeti i plagosur.

“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M. H., ishte takuar me personin NN i cili lëvizte me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalë “paja shoq a po më njeh mua” ku më pas e sulmojnë fizikisht”- përshkruhet ngjarja e cila ndodhi më 04.03.2024.

Dosja e prokurorisë përshkruan edhe se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondakt të armës.

“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arritë të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij”- përshkruhet tutje në aktakuzën që ka siguruar KALLXO.com.

Me këto veprime Shkumbin Sekiraqa sipas prokurorisë ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen e tij në rast.

“Çka kam thënë në polici është e vërtetë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj tani nuk dua të deklarohem më. Në polici ka deklaruar se nuk ka lidhje me rastin që ka ndodhur më datë 04.03.2024 dhe nuk e njeh të dëmtuarin Pajtim Gashi”- thuhet tutje në dosjen e prokurorisë.

E Pajtim Gashi, i cili mbeti i plagosur në mars 2024, kishte deklaruar se në datën e lartpërmendur ishte në afërsi të një biznesi familjar.

“Ka ardhë një person me veturë të kuqe, personi më është ofru dhe më ka thënë “pse po më këqyrë” ka filluar të më shaj me fjalë banale “çka k… po më këqyrë”, i kam thënë nuk jam ka të këqyri o vlla po shko rrugës tande, ai më ka thënë se ‘je ka më këqyrë shtremtë’, pas kësaj ka vazhdu me veturë, kah objekti teposhtë vetura e ka pas derën e hapur dhe pse ishte duke vozitur ai e mbante derën çelë, mandej pasi që është largu diku 15 metra e ka ndalë derën ka dalë nga vetura është nis në drejtim të tij nuk i ka parë asgjë në dorë dhe ka filluar prapë të shajë”- ka shpjeguar Pajtim Gashi në prokurori ngjarjen e marsit.

Gashi kishte treguar për sulmin e më pas edhe për të shtënat me armë.

“Me sa din ai ka shtënë 5-6 herë. Shkumbin Sekiraqën nuk e njeh nuk e ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me të. Në polici nuk ka arritur që ta identifikoj Shkumbin Sekiraqën, Pajtim Gashi”, thuhet tutje në dosje.

Si i bashkakuzuar në këtë rast është edhe M. H., i cili ngarkohet se i ka dhënë ndihmë Shkumbin Sekiraqës pasi është kryer vepra penale duke e fshehur në garazhën e tij veturën Audi A7 e që në deklaratën e dhënë në polici kishte thënë se të njëjtën veturë e ka shitur.

Ky rast del të jetë si fillesë e problemit mes familjes Gashi e Sekiraqa, pasi më 01.09.2024 kishte pasur shkëmbim me armë të zjarrit mes disa personave ku një person kishte ndërruar jetë e 5 të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Si i plagosur në rastin e datës 01.09.2024, është edhe babi i Shkumbin Sekiraqës, Salih Sekiraqa. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim

Siguri
Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, ekspertja thotë se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore

Drejtësi

"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri

Siguri
Analistët: Roli i diasporës në këto zgjedhje po merret më seriozisht nga partitë politike

Analistët: Roli i diasporës në këto zgjedhje po merret më seriozisht nga partitë politike

Politikë
Pasaporta e Shqipërisë renditet e 43-ta në botë, shqiptarët mund të udhëtojnë në 123 vende të botës pa viza

Pasaporta e Shqipërisë renditet e 43-ta në botë, shqiptarët mund të udhëtojnë në 123 vende të botës pa viza

Lajme
Babai i viktimës në Shkodër: Do ta kërkoj vetë autorin, do ta laj me gjak nëse nuk ndërhyhet

Babai i viktimës në Shkodër: Do ta kërkoj vetë autorin, do ta laj me gjak nëse nuk ndërhyhet

Lajme
Kalo në kategori