Një gjykatë turke ka dënuar aktivistin e të drejtave civile dhe filantropistin Osman Kavala me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, gjykata në Stamboll e shpalli Kavalën fajtor për përpjekje për të përmbysur qeverinë mes protestave masive në vitin 2013.


Shtatë të pandehur të tjerë u dënuan gjithashtu me 18 vjet burg.

Vendimi vjen pasi organi më i lartë evropian për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, nisi procedurat e shkeljes kundër Turqisë për këtë rast.

Ankaraja nuk ka respektuar një vendim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2019, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kavalës.

Kavala - i cili tashmë ka kaluar më shumë se katër vjet në burg - mohon akuzat se ka financuar protestat antiqeveritare.

Ndryshe, 64-vjeçari është burgosur në burgun e Silivrit -- në periferi të Stambollit -- që kur u ndalua në tetor 2017. /Telegrafi/