LAJMI I FUNDIT:

Gjon Mili dhe Picasso

Gjon Mili dhe Picasso
Pablo Picasso (foto: Gjon Mili, 1949)

Nga: Qemal Agaj

1.

Vizita e dytë pas 18 vjetësh ishte sa e papritur, aq dhe e nevojshme për Gjon Milin. Një vit më parë, më 1966, zjarri që përfshiu gjithë bllokun, shkrumbëzoi studion e tij, atë relike aq të çmuar të artit të tij ku prej tij fotografoheshin sportistë, artistë, valltarë, këngëtarë. Humbja ishte e madhe. Pajisjet dhe sendet personale ishin zhdukur, ose ishin bërë të pavlefshme. Për fat të mirë. dy të tretat e negativeve kishin shpëtuar. Pas kësaj, kujton Mili: Ishte koha për rifillim.


Rifillimi erdhi. Revista Life kishte menduar për një botim të veçantë për Pikason [Pablo Picasso]. Për këtë, në mars 1967, Xhorxh Hanti [George Hunt], menaxheri botues i Life-it, e vizitoi Pikason në shtëpinë e tij, në jug të Francës. Kjo vizitë u bë shkak që Life të ngarkojë Milin në një angazhim strikt, të fotografonte artistin dhe skulpturat e tij. Me mbresat dhe fotografitë e kësaj vizite, Mili botoi ,ë 1970 librin, “Picasso’s Third Dimension. “

Për të futur lexuesin në subjekt, mendoj se është e nevojshme të prezantoj një fragment të editorialit të Xhorxh Hantit botuar në Life, më 27 dhjetor 1968.

“Gjykuam se ky gjigand ishte Mikelanxhelo ose Da Vinçi i kohës tonë, një forcë masive kulture, tani i moshuar, i tërhequr, i thellë dhe brenda kornizës së vet të rreptë, një thesar eksperience …

… Ishte e vështirë ta takoje sa vetë De Golin. Ta shohësh Pikason për herë të parë përballesh me dy sy të jashtëzakonshëm kafe të errët. Ata janë çuditërisht të mëdhenj për fytyrën dhe ndryshojnë ndërkohë që e sheh dhe bisedon me të. Ndërrojnë aq dukshëm me mendimet që kalojnë në mendjen e tij, ndoshta ktheheshin mbrapsht dhe prapë humbisnin në mendime …

2

… Ata dukeshin djallëzor, miqësor, ofendues, armiqësor, arrogant, të mërzitshëm dhe menjëherë interesant. Në të shumtën gjatë vizitës tonë, ishin të qeshur. Por, në gjithë këtë, asnjëri nuk la pa vënë re fuqinë e prezencës së tij, talentit që provokoi një vizion të ri në art …

Pikaso më pyeti nëse e kisha parë ekspozitën e hapur në atë kohë në Paris me titull, Hommage a Pablo Picasso. I thashë se e kisha parë. Ai erdhi rreth tavolinës dhe më tregoi katalogun me një shprehje buzëqeshje. Pas pak u largua. Dhjetë minuta më vonë u kthye dhe më drejtoi një libër. Në kopertinë shkruar: Për Hantin – Pikaso, 19 mars 1967.

***

Fuqia e Pikasos

Life, 27 dhjetor 1968.

“Pablo Pikaso tronditi botën duke i rrëzuar mënyrat tradicionale të të parit dhe të menduarit. Shekulli i ri sapo kishte filluar kur Pikaso mori komandën. I nxitur nga koha dhe nga gjenialiteti i vet, e detyroi botën – që ai vazhdimisht acaronte – të njohë veten në mënyrën që shihte ai. Por, aq i habitshëm sa ishte impakti dhe influenca e tij, është fenomeni i tij si njeri. Krijues i mrekullueshëm, provoi çdo lloj arti, i pasuroi të gjitha ato, zbuloi të reja, një sundues gjatë gjithë viteve që i përgjigjej vetëm vetes.

Asnjë njeri i kohës tonë nuk ka pasur kaq influencë të fortë në artin modern. Pak, nëse ka ndonjë, kanë prodhuar kaq kryevepra eksplozive. Të shëtisësh në një Muzeum e Artit Modern pa njohur Pikason, është pothuajse aq e pamundur sa të provosh të lexosh pa ditur alfabetin. Akoma më shumë, ndoshta të mos kesh kuptuar çfarë Pikaso thoshte në pikturat, skulpturat, grafikat, qeramikat, eksperimentet e tij të pafund me teknika të reja deri te vizatimet me dritë në errësirë, është të kesh humbur ngazëllimin e të parit dhe dëgjimit të një prej zërave më të qartë dhe talentin më të fuqishëm të kohës tonë”.

3.

Picasso’s Third Dimension

Hyrja nga Gjon Mili.

“Së pari dua të përmend detyrimin tim ndaj Xhorxh Hantit, manaxherit botues në Life, i cili pas vizitës me Pikason inicioi projektin për të fotografuar artistin dhe veprat e tij.

Ky libër u bë i mundur nga dy vizita me Pikason, 18 vjet larg njëra-tjetrës. Në të dy rastet kur u caktova të fotografoj artistin, e gjeta veten të angazhuar ashtu siç ndodh shpesh me njerës që punojnë me të, në një eksperiencë krijuese të paparashikuar.

Rezultatet e vizitës së parë, më 1949, mund të shihen në 16 faqet e para të librit, fotografi të vizatimeve me dritë në hapësirë të Pikasos. Gjë e çastit e vizatuar me dritë të vogël në errësirë, janë shkëlqim i aftësive të tij brilante të nxitura nga momenti.

Prej vitesh, pas eksperiencës së parë me Pikason, flisnim në telefon kur nuk ishte i zhytur në punë. Pikaso ishte një fëmijë dhe një bashkëbisedues entuziast. Do të kalonin 18 vjet që do ta shihja atë përsëri në një sesion profesional shumë strikt.

Arsyeja për këtë libër dhe subjekti kryesor i tij u bën të qartë për mua pas vizitës së fundit me Pikason në Notre-Dame-de-Vie, në rezidencën e tij në kodrat Mougins, më 1967. Pas disa portreteve, takimeve të çastit me Pikason, iu kushtova interpretimit të krijimeve të tij tredimensionale”.

***

Fragmente nga libri Picasso’s Third Dimension

“… Pamja e origjinaleve të tij, shumë prej tyre të thyera, hedhur pa rregull në studion e tij të madhe, më tronditën. Ndjeva një nevojë të papërmbajtur të hidhja në dorë këto mrekulli, që Pikaso, gjithmonë zotërues i krijimeve të tij, nuk ishte i prirë të ndahej prej tyre.

Sesionet ditore në punishte, në Notre-Dame-de-Vie, zgjatën disa javë. Ato u plotësuan më vonë në orët e natës në Tate Galery në Londër dhe në Muzeun e Artit Modern, në Nju-Jork, ku statujat, kolazhet, qeramikat dhe konstruksionet e Pikasos ishin ekspozuar atë vit. Para se të mbaroja, udhëtova për në Stokholm në kërkim të gjigandeve prej betoni, derdhje masive bazuar në modelet me letra të Pikasos. Gjithashtu shkova në Montmartre në Paris dhe Horta de Ebro, një fshat në Tarragona, në Spanjë, për të përshkruar kujtimet nga rinia e Pikasos.

4

… I vendosur në një maj kodre, i izoluar dhe pothuajse me pamje të fshehur nga ullinj dhe selvi shekullore, Notre-Dame-de-Vie është një vend i shenjtë për një figurë aq legjendare si Pikaso. Në të nxehtit e mesditës, struktura tërheqëse trekatëshe duket pa jetë. Mungesa e lëvizjeve nuk tregonte rrjedhën e rutinës së përditshme të vilës me shumë kompartimente. Për së jashtmit, duke kaluar përgjatë, shtëpia me kangjella bëhet e gjallë vetëm gjatë netëve, kur dritat e studios ndriçojnë deri pas mesnate.

… Me gjithë suksesin dhe pasurinë, Pikaso ngelet jo i tërhequr prej saj, ose jo në gjendje të çlirojë veten nga ideja e ngulitur për të krijuar. Unë nuk ndahem nga arti, sepse s’do të mund të jetoja pa i kushtuar gjithë jetën atij. Unë e dua atë si i vetmi fund i jetës time.

Jo më kot gruaja e tij Zhaklin pohon:  Pikaso është një mrekulli, një diell, një evidencë.

I vetënxitur, brilant dhe i paparashikuar, Pikaso është i veçantë. Artisti më i shquar i kohës së tij, më i imituari, më i kërkuari dhe më i kritikuari, Pikaso vazhdon të krijojë vepra arti të diskutueshme, si asnjëherë. Shumë nga skulpturat e tij, duke qenë realiste, nuk ngrenë probleme në diskutim; në të kundërt, konstruksionet e tij të fundit, nudot anormale dhe zbulimet metamorfoze në të cilat ai me vetëdije shtrembëron të vërtetën (natyralen), akoma frikësojnë ose hutojnë të paimagjinatët. Pikaso nuk është një që t’i bën gjërat të thjeshta. Ai thotë: Unë dua të tërheq gjendjen shpirtërore në një drejtim që nuk është mësuar dhe ta zgjojë atë.

Për arsye se kaq gjëra që Pikaso ka bërë janë shqetësuese, të duhet një reagim fizik edhe inat të arrish të kuptosh realitetin e pazakontë të tij. Kjo më solli ndërmend thënien e mikut të tij, Andre Breton:  Bukuria duhet të jetë tronditëse, ose pushon së qeni.

… Edhe kur bashkon objekte që nuk janë harmoni ose shtjellon forma joreale, idetë e tij bëhen të pëlqyeshme, mesazhi i tij shfaqet dukshëm. Ky mesazh shprehet qartë në thënien e Gertrudë Stajnit [Gertrude Stein]: Nëse çdo njeri nuk do të ishte kaq i plogët, do ta kuptonte se e bukura është e bukur edhe kur është shqetësuese dhe stimuluese, jo vetëm kur është e pranueshme dhe klasike.

… Dikush mund të admiroj një pikturë, dikush shikon një statujë. Një pikturë duke qenë njëplanëshe, mund të shihet vetëm përballë dhe të jep një impresion njëanësor, por jo të lehtë për t’u interpretuar. Në të kundërtën, një skulpturë duhet parë nga të gjitha planet; të tërheq ta prekësh, ndërron sipas dritës dhe këndvështrimit, të fton ta zbulosh.

… Në skulpturën klasike, volumi realizohet nga një masë që përcaktohet nga sipërfaqja e saj. Në të kundërtën, në skulpturën kubiste, si në arkitekturë, hapësira është aq e rrethuar nga pjesëza, sa boshllëku në vend të substancës bëhet kryesor”.

5

“Thënia e Pikasos se një vepër arti përfundon vetëm në sytë e atij që e shikon, më shtyu të eksperimentoj. Duke përqendruar dritën, kapja detaje esenciale. Duke kombinuar dritën e ditës me dritë artificiale të kontrolluar, pasuroheshin ngjyrat. Çfarë më interesonte më shumë, ishte të zbuloja të reja nga dimensioni i tretë i Pikasos, përfshirë në të, por jo i qartë në dukje”.

Epilog

Në hyrjen e librit të Milit, Photographs and Recollections (1980), midis të tjerave shkruhet:

“Fotografi Gjon Mili, është mjeshtër i aksidentit të kalkuluar. Kur përgatitet të shkrep aparatin, spontaniteti dhe e magjishmja ndodh. Fotografitë e tij, teknikisht inovative, janë të mbushura me emocione, humor dhe joi de vivre.

… Të përfshira në libër janë 35 vjet portrete artistësh, njerëz të shquar, politikanë dhe muzikantë, shumë të fotografuara për Life, por disa për kënaqësinë e atij vet. E tëra është shoqëruar me tekstin gazmor të Milit, një përshkrim që arrin të të prek dhe të krijojë humor në të njëjtën kohë.

… Shumë nga seritë e tij fotografke – vizita e fundit me të moshuarin, Shon O’Kejsi [Sean O’Casey], një zjarr që shkrumbëzoi studion e Milit, ku humbën jetën disa zjarrëfikës, amoraliteti rrëqethës i Ajhmanit [Adolf Eichmann] janë fotogazetari tronditëse.

Siç u shpreh Sartre me rastin e ekspozitës së Milit në Paris, më 1946: Përpara se të takoja Milin, kam njohur vetëm fotograf pa temperament, që bëjnë fotografi me inat, si njeri që vret diçka …

Gjon Mili dhe angazhimet e tij në ngjarjet politike të kohës.

Angazhimi i parë i Milit në ngjarjet politike të kohës ishte fotografimi i Konferencës së Paqes në Paris, më 1946. Kur fotografoi përfaqësuesin e Shqipërisë, ndoshta as ai nuk e dinte se po fotografonte diktatorin e ardhshëm të Atdheut, që aq shumë e kishte brenda tij, aq sa dhe emrin e ruajti në shqiptimin shqip, Gjon dhe jo në atë anglisht John.

Ai vërtetë e fotografoi diktatorin, por për të ngeli vetëm në celuloid. Shtypi komunist me krenari e botonte fotografinë, por jo autorin e saj. Mili nuk e përfshiu atë në librin e tij.

6

Në vitin 1961 me kërkesë të qeverisë Izraelite, caktohet të fotografoj kriminelin e luftës, Adolf Ajhman në burg, në Izrael. I.S.A., (Israeli State Agency) në Nju-Jork, dokumenton:  Qeveria Izraelite zgjodhi fotografin e shquar shqiptaro-amerikan të Life-it, Gjon Mili, për fotografimin e Ajhmanit në burg, me kushte që ai zyrtarisht do të punësohej nga Zyra Qeveritare e Shtypit, kështu do të parandalohen akuzat se Izraeli nuk mund të prodhojë imazhe ekselente.

Imazhi i Ajhmanit me cigare, është i vetmi moment ku Mili u gjend ballë për ballë me kriminelin. Vallë çfarë ndjeu Mili në atë moment? Kur doli nga qelia, roja i tha:  Zotni, ju dukeni shumë i verdhë. Mili nuk gjeti përgjigje.

***

Life, 14 prill 1961.

“Nganjëherë disa njerëz të dëgjuar bëhen simbol i kohës që jetojnë, i të mirës ose i të keqes, i arsyes ose marrëzisë. Një njeri i tillë është nazisti Adolf Ajhman, një simbol i urrejtjes dhe imoralitetit të Gjermanisë naziste. Ja ku është në këto studime dramatike nga fotografi Gjon Mili. Këto janë pamjet e para në botë në një shikim intim të njeriut që u zhduk 16 vjet më parë dhe për gjithë këto vite ka qën i kërkuari, i damkosuri i krimeve të luftës …

Në 1973 ai i kërkoi redaktorit të Life Special Reports, Xhon Longard, të mbulonte Skandalin e Uotergejtitfundin e presidencës së Riçard Niksonit. Një kërkesë kjo që redaktori ia atribuoi Milit si Person me shqetësime për liritë qytetare dhe demokracinë.

Dilet në mendim të përgjithshëm se pesonaliteti i Gjon Milit, bën pjesë në tërësinë e personaliteteve sociale dhe artistike më të shquara të kohës”. /Gazeta “ExLibris”/

__________

Referencat:

Picasso’s Third Dimension (Gjon Mili, 1972)
Photographs and Recollections (Gjon Mili, 1984)
Life, 14 prill 1961
Life, 27 dhjetor 1968