Gjilani ende pa buxhet për vitin 2025 - seanca dështon për mungesë të opozitës

Komuna e Gjilanit ende nuk ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2025 në Kuvendin Komunal.
Edhe seanca e sotme, e thirrur posaçërisht për debat mbi këtë çështje, ka dështuar për shkak të mungesës së opozitës në sallën e Kuvendit.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina-Bunjaku, ka theksuar rëndësinë e miratimit të buxhetit, duke e quajtur atë një marrëveshje për të mirën e përbashkët.
“Mosmiratimi i buxhetit nënkupton projekte të ndërprera, shërbime të vonuara dhe ngecje në zhvillimin e qytetit,” tha Morina-Bunjaku.
Ajo i bëri sërish thirrje opozitës që të diskutojnë mbi buxhetin dhe të trajtojnë së bashku çdo propozim konkret që mund të kenë.
“Si gjithmonë, ftesa jonë mbetet e hapur: nëse keni propozime konkrete për buxhetin, le t’i trajtojmë së bashku,” përfundoi ajo. /Telegrafi/









































