Ylli i Chelseat dhe i Anglisë, Cole Palmer, raportohet se është subjekt i një oferte gjigante, mes pretendimeve se ai po shtyn për t’u larguar nga “Blutë”.

Palmer iu bashkua Chelseat nga Manchester City në vitin 2024 dhe shpejt u shndërrua në lojtarin kryesor të skuadrës, duke i udhëhequr drejt triumfeve në Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube me paraqitje mbresëlënëse në të dy finalet.


Reprezentuesi anglez është zhvilluar në një nga mesfushorët ofensivë më të mirë në botë, duke regjistruar 31 gola dhe 31 asistime në 122 paraqitje për Chelsean.

Megjithatë, ekziston një ndjesi se talenti i Palmer po shpërdorohet te Chelsea, i cili është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë në Ligën Premier.

Një raport i ri nga Fichajes pretendon se Palmer “duket se e ka humbur durimin në Stamford Bridge për shkak të paqëndrueshmërisë sportive” dhe është “thellësisht i zhgënjyer me drejtimin që ka marrë klubi”.

Klubi i fëmijërisë së tij, Manchester United, thuhet se është i interesuar për Palmer, së bashku me gjigantët evropianë Real Madrid dhe Bayern Munich.

Madje, raportohet se kampioni i Bundesligës po kërkon të përfitojë nga situata e Palmer dhe po përgatit një ofertë fillestare në vlerë rreth 100 milionë euro për 23-vjeçarin.

Kjo ofertë thuhet se është vetëm fillimi i negociatave, me Chelsean që e vlerëson lojtarin e tij kryesor në rreth 170 milionë euro.

Palmer ka një kontratë shumë afatgjatë deri në vitin 2033 dhe Chelsea pa dyshim nuk do ta lejojë largimin e tij pa përfituar një shumë të konsiderueshme.

Bayerni po pret në prapavijë për të parë zhvillimet rreth situatës së Palmer, por pritet të presë deri në fund të sezonit për të paraqitur një ofertë zyrtare, e cila mund të jetë një nga më të shtrenjtat në histori./Telegrafi/

telegrafi sport app