Gjermania ka njoftuar se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me një paketë ndihme me vlerë rreth pesë miliardë euro, në një përpjekje për të përforcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit ndaj agresionit rus.

Njoftimi erdhi ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, priti në Berlin presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime dypalëshe që kishin në fokus situatën e sigurisë në Ukrainë dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.


Në një deklaratë zyrtare, Ministria gjermane e Mbrojtjes theksoi se vendimi për këtë paketë shtesë ndihme u mor pas një serie sulmesh ajrore të rënda të ndërmarra nga Rusia ndaj qyteteve ukrainase.

“Shumë civilë janë vrarë dhe plagosur, ndërsa është shkaktuar shkatërrim masiv i infrastrukturës civile, veçanërisht në zonat e banuara dhe në objektet kritike si furnizimi me ujë, energji dhe shërbime shëndetësore,” thuhej në deklaratë.

Pakoja e ndihmës do të përfshijë pajisje ushtarake moderne, mbrojtje ajrore, municione, automjete të blinduara dhe trajnime për forcat ukrainase.

Fondet për këtë mbështetje do të sigurohen nga buxheti që tashmë është miratuar nga Bundestagu (dhoma e ulët e parlamentit gjerman), duke e bërë të mundur dërgimin e ndihmës pa vonesa të mëtejshme procedurale.

“Me këtë paketë, Gjermania jo vetëm që e konfirmon angazhimin e saj të vazhdueshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, por tregon edhe lidershipin e saj në mbështetjen e vlerave demokratike në Evropë,” u shpreh ministria në fund të deklaratës.

Gjermania vazhdon mbështetjen e saj aktive dhe të qëndrueshme ushtarake për Ukrainën, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj lufte në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme. /Telegrafi/