Site icon Telegrafi

Gjermania miraton fonde për zhvillimin e një rakete detare supersonike dhe blerjen e mijëra të tjerave

Parlamenti i Gjermanisë ka miratuar fonde për blerjen e mijëra raketave dhe zhvillimin e një rakete detare supersonike, sipas një njoftimi nga Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Bëhet e ditur se Gjermania dhe Norvegjia do të bashkojnë forcat në zhvillimin e raketës supersonike Tyrfing.

Një komision kyç parlamentar ka miratuar fondet së fundmi, në një përpjekje për zhvillimin e raketave moderne detare.

Aktualisht, pjesa më e madhe e arsenalit të raketave detare të Gjermanisë është e prodhimit francez dhe amerikan.

Edhe pse Norvegjia dhe prodhuesi i saj shtetëror i armëve Kongsberg do të marrin një rol udhëheqës, qeveria gjermane pret të kontribuojë me rreth 650 milionë euro në projekt nga tani deri në vitin 2033.

Fillimisht, projekti do të financohet nga fondi special i kancelarit Olaf Scholz për ushtrinë.

Në vitet në vijim, paratë do të sigurohen nga buxheti i rregullt i mbrojtjes së vendit, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Kongsberg e përshkruan Tyrfing si një “superraketë të re” që do të pasojë raketën detare Strike të zhvilluar në fillim të viteve 2000.

Përveç Norvegjisë dhe Gjermanisë, Kongsberg shpreson se raketa do të ketë potencial eksporti edhe në “forcat e tjera të armatosura evropiane”.

Gjithashtu, komiteti gjerman i buxhetit miratoi blerjen e deri në 3266 raketave Brimstone 3 deri në vitin 2033 sipas një kontrate që pritet të miratohet nga parlamenti muajin e ardhshëm.

Fillimisht, vendi do të marrë 274 raketa dhe pajisjet e nevojshme, të blera nga MBDA Gjermani për rreth 376 milionë euro.

Raketat janë të destinuara për flotën Eurofighter të vendit, e cila formon shtyllën luftarake të Forcave të saj Ajrore.

Forcat Ajrore Mbretërore Britanike e kanë përdorur familjen e raketave Brimstone për gati dy dekada, duke përfshirë në zonat e luftës në Afganistan, Irak dhe Siri.

Një kontigjent i Eurofighters gjermanë është gjithashtu i vendosur në Baltik, ku shërbejnë për të forcuar qëndrimin e NATO-s në krahun e saj me Rusinë.

Ndryshe, përveç blerjeve krejtësisht të reja, komisioni parlamentar i buxhetit miratoi gjithashtu prokurimin e 506 sistemeve të mbrojtjes ajrore të lëvizshme Stinger me vlerë rreth 395 milionë euro si zëvendësim për 500 raketa tokë-ajër. /Telegrafi/

 

Exit mobile version