Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Dan Caine, deklaroi gjatë një konference në Pentagon se SHBA-të kanë kryer më shumë se 11 mijë sulme ndaj objektivave në Iran dhe kanë nisur misione me bombarduesit B-52.

Caine bëri të ditur se forcat amerikane deri më tani kanë realizuar mbi 11 mijë sulme ndaj objektivave në Iran dhe se, falë epërsisë ajrore, ka nisur me sukses edhe zbatimi i misioneve të bombarduesve B-52 mbi territorin iranian, raporton reuters.


Sipas tij, avionët luftarakë amerikanë janë tashmë të fokusuar në ndërprerjen dhe shkatërrimin e kanaleve logjistike dhe zinxhirëve të furnizimit që mbështesin impiantet iraniane për prodhimin e raketave, dronëve dhe anijeve, me synimin për t’ia pamundësuar vendit zëvendësimin e municionit të shkatërruar gjatë mijëra bombardimeve amerikane.

Duke folur për situatën në terren, Caine theksoi se aftësia e ushtrisë amerikane për të fluturuar me avionë të mëdhenj mbi Iran tregon se mbrojtja kundërajrore iraniane është dobësuar ndjeshëm.

Ai shtoi se operacionet e bombarduesve B-52 janë pjesë e një fushate më të gjerë për ruajtjen dhe zgjerimin e epërsisë ajrore të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Nuk specifikoi se sa mund të zgjasë lufta apo cilat mund të jenë fazat e ardhshme të operacioneve. /Telegrafi/