Gjashtë vite pa legjendën Fadil Vokrri, kujtohet për gjërat e mëdha që ka bërë për futbollin

Sot janë bërë gjashtë vite pa legjendën e futbollit kosovarë, Fadil Vokrri. Ish-sulmuesi i famshëm kishte ndërruar jetë pas një ataku kardiak më 9 qershor të vitit 2018.
Vokrri në atë kohë ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, derisa ishte njeriu më meritor për pranimin e FFK-së me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.
Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi nëpërmjet një postimi ka kujtuar jetën dhe veprën e Vokrrit në gjashtë vjetorin e vdekjes së tij.
Ademi ishte krahu i djathtë i Vokrrit për shumë vite, duke mbajtur pozitën e nënkryetarit në FFK.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:Sot, bëhen gjashtë vjet pa Legjendën e futbollit tonë, Fadil VOKRRI! 9 qershori i vitit 2018 mbetet datë që sjellë ndjesi nostalgjie, por edhe krenarie për trashëgiminë e pasur që Vokrri la te të gjithë ata që e adhuruan, por edhe patën fatin ta njohin nga afër dhe të punojnë me të. Fadil Vokrri ishte një futbollist i jashtëzakonshëm dhe i përmasave botërore. Talentin që ia dhuroi Perëndia, ai e shndërroi në pasion dhe dashuri të pakufishme për lojën magjike të futbollit. Me aftësitë e tij të shkëlqyeshme me topin, intuitën për gol dhe stilin unik, Vokrri u shqua që në rininë e tij të hershme. Me paraqitjet në fanellën e Prishtinës, ai bëri që një popull i tërë ta thërriste emrin e tij dhe tek ai të shihte shpresën e gëzimin.


















































