GGK: Cilësia e ajrit në Prishtinë arrin nivel të rrezikshëm

Cilësia e ajrit në Prishtinë ka arritur sot nivele të rrezikshme, ka njoftuar GIS Group of Kosovo (GGK).
Sipas matjeve të publikuara, indeksi i cilësisë së ajrit (AQI) ka shkuar në 182, nivel që kategorizohet si “i pashëndetshëm” për popullatën.
Parametrat e rrezikshmërisë përfshijnë edhe vlerat e larta të grimcave PM2.5, të cilat kanë arritur në 100 μg/m³ – shumë mbi kufirin e lejuar sipas standardeve ndërkombëtare.
Këto grimca të imëta mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe paraqesin rrezik të shtuar sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje respiratore.
Sipas GGK-së, pamja e qytetit të mbuluar nga smogu nuk është thjesht mjegull sezonale, por pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes së ajrit, e cila po përkeqësohet çdo ditë.
“Koha është që problemi i ajrit të trajtohet me seriozitet. Prishtina meriton ajër të pastër dhe qytetarët kanë të drejtë të marrin frymë pa rrezik,” ka deklaruar Leutrim Krasniqi nga GIS Group of Kosovo. /Telegrafi/

















































