Gazetari hulumtues kroat sjell detaje të tjera për përfshirjen e Vuçiqit në vrasjet e civilëve në Sarajevë

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për organizimin e fshehtë të largimit të një dëshmitari kyç të krimeve të luftës nga Bosnja dhe Hercegovina, duke e bërë atë të paarritshëm për drejtësinë ndërkombëtare.
Në një video të publikuar në Facebook, Margetiq deklaron se Vuçiq po përpiqet të “fshijë gjurmët” e përfshirjes së tij të dyshuar në krimet e kryera gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90.
Sipas gazetarit kroat, Slavko Aleksiq – një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i njësisë ku presidenti serb dyshohet se kishte shërbyer si vullnetar – është një nga dëshmitarët kryesorë që mund të inkriminojë presidentin serb.
Aleksiq kishte komanduar një njësi që ofronte mbështetje logjistike për të ashtuquajturat “Sarajevo Safari” në Sarajevë, sulme ndaj civilëve gjatë rrethimit të qytetit.
“Slavko Aleksiq është një nga dëshmitarët kryesorë që mund të inkriminojë si Vuçiqin, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë në këto krime,” thekson Margetiq.
Gazetari shpjegon se Aleksiq kishte jetuar për vite të tëra në fshehtësi në Bosnje-Hercegovinë dhe ishte i disponueshëm për autoritetet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, por situata ndryshoi rreth dhjetë ditë më parë.
“Me urdhër të drejtpërdrejtë të Aleksandar Vuçiqit, BIA organizoi një operacion për nxjerrjen e fshehtë të Slavko Aleksiqit nga Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Margetiq.
Ai shton se Aleksiq është transferuar në Beograd dhe ndodhet në një institucion shëndetësor, me shumë gjasë në Akademinë Mjekësore Ushtarake, për të krijuar një alibi mjekësore që të shmangë ekstradimin dhe marrjen në pyetje.
Margetiq akuzon Vuçiqin se për vite me radhë ka ushtruar ndikim mbi Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës përmes presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Sipas tij, kryeprokurori Milanko Kajganiq dhe ish-prokurorja e krimeve të luftës, Vedrana Mijoviq, kanë qenë pjesë e këtij mekanizmi.
“Vuçiq ka kontrolluar për vite me radhë rastet e krimeve të luftës në Bosnje përmes njerëzve të tij”, thekson Margetiq.
Ai përmend gjithashtu dekorimin e Mijoviqit nga Vuçiq në Beograd në vitin 2022 dhe pasurinë e pajustifikuar të saj, e cila sipas tij nuk mund të shpjegohet me pagën e një prokuroreje. /Telegrafi/











































