Galatasaray ka shfaqur interes serioz për të transferuar Marc-Andre ter Stegenin nga Barcelona. Klubi turk është i gatshëm t’i ofrojë portierit gjerman një kontratë katërvjeçare me një pagë më të lartë se ajo që përfiton aktualisht në “Camp Nou”.

Situata e Ter Stegen te Barcelona është bërë e ndërlikuar. Me afrimin e Joan Garcias dhe rinovimin me Wojciech Szczesnyn, klubi duket se po e shtyn portierin drejt një largimi të mundshëm gjatë kësaj vere.


Megjithatë, vetë portieri nuk ka ndërmend të largohet. Ai beson se mund ta bindë trajnerin Hansi Flick për të qenë titullar dhe ka deklaruar se qëllimi i tij është të qëndrojë në Barcelonë të paktën deri në fund të sezonit të ardhshëm.

“Nuk kam folur me askënd për ndonjë largim. E di që do të jem pjesë e Barcelonës edhe sezonin e ardhshëm,” kishte thënë Ter Stegen para disa javësh, duke hedhur poshtë thashethemet për transferim të afërt.

Pavarësisht kësaj, Galatasaray nuk ka hequr dorë. Sipas gazetës Sport, klubi nga Stambolli ka paraqitur një ofertë konkrete, duke premtuar pagë të majme dhe rol të rëndësishëm në skuadër. Ata e shohin Ter Stegen si përforcim ideal për objektivat në Evropë.

Barcelona, nga ana tjetër, do ta mirëpriste largimin e portierit nëse ai pranon kushtet. Klubi është i gatshëm ta lirojë pa kërkuar dëmshpërblim, për sa kohë që Ter Stegen pranon të heqë dorë nga një pjesë e madhe e pagës së mbetur në kontratën aktuale, e cila skadon pas tre vitesh.

Ter Stegen fiton rreth katër milionë euro te Barcelona, derisa te Galatasaray atij i garantohet një pagë mbi gjashtë milionë euro në sezon. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app