Fund i papritur për Donnarumman te PSG – gjiganti anglez ‘troket’ në derë

Paris Saint-Germain është i gatshëm të shesë Gianluigi Donnarumma këtë verë për të shmangur një situatë të ngjashme me transferimin e Kylian Mbappe si lojtar i lirë te Real Madridi.
Donnarumma ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij me PSG-në dhe ende nuk ka rënë dakord për një rinovim me klubin.
Portieri italian ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë edhe gjigantët e Ligës Premier, Chelsea.
Sipas L'Equipe, drejtuesit e PSG-së janë të vendosur ta shesin këtë verë portierin e tyre titullar, pas refuzimit të Donnarummas për të nënshkruar një marrëveshje të re.
Kampionët aktualë të Evropës dhe Francës nuk dëshirojnë të përsërisin situatën e Kylian Mbappe, i cili u largua si lojtar i lirë në verën e vitit 2024 dhe iu bashkua Real Madridit pa kompensim financiar për klubin.
Disa skuadra të mëdha evropiane janë të interesuara për portierin 26-vjeçar.
Nëse Donnarumma kthehet në Itali, Inter dhe Juventus janë favoritët për të siguruar shërbimet e tij. Megjithatë, destinacioni më i mundshëm mbetet Liga Premier, pasi Chelsea është seriozisht e interesuar për portierin e kombëtares italiane.
PSG tashmë ka gjetur zëvendësuesin e Donnarummas dhe synon të transferojë portierin francez 23-vjeçar Lucas Chevalier nga Lille.
Ndërkohë, raporte të mëparshme sugjeronin se edhe Diogo Costa i Portos është në radarët e kampionëve të Ligue 1./Telegrafi/


















































