Fund epokës së vitit 1985, qeveria shqiptare ndryshon standardet dhe çmimet për punimet në pyje

Pas plot 40 vitesh, Shqipëria përgatitet të ndryshojë “kushtetutën” teknike të punimeve në pyje dhe kullota. Ministria e Mjedisit ka gati një projektvendim të ri që shfuqizon manualet e vjetra të kohës së komunizmit (të vitit 1985), duke vendosur standarde, norma dhe çmime të reja të unifikuara për çdo ndërhyrje në fondin pyjor.
Drafti i ri, i propozuar nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve, synon t’i japë fund kaosit me preventivat dhe pagesat, duke detyruar çdo subjekt – qoftë shtetëror apo privat, vendas apo i huaj – të zbatojë të njëjtat tarifa dhe rregulla teknike, njofton rtsh.
Ndryshojnë çmimet dhe normat
Deri më sot, shumë prej punimeve referoheshin në manuale të vjetruara që nuk përputheshin më me realitetin e tregut dhe teknologjisë. Projektvendimi i ri përcakton “çmimet bazë” për njësi, të cilat do të shërbejnë si referencë detyruese për hartimin e preventivave të projekteve; planifikimin e buxheteve nga bashkitë dhe ministritë; llogaritjen e kostove nga kompanitë private që fitojnë tendera në pyje.
Këto standarde mbulojnë çdo gjë: nga ngritja e fidanishteve, pyllëzimet, prerjet kulturore, ndërtimi i pritave malore kundër erozionit, e deri te ndërtimi i korritave për ujin e bagëtive.
Një risi e detajuar në relacion është ndarja e normave të punës në dy grupe: minimale dhe maksimale, duke marrë parasysh terrenin e vështirë malor të Shqipërisë.
Normat minimale do të aplikohen kur vendi i punës ndodhet larg: mbi 1 orë e gjysmë ecje në këmbë, ose mbi gjysmë ore me makinë plus 1 orë në këmbë nga vendbanimi i punëtorit.
Normat maksimale do të zbatohen për zona më të aksesueshme.
Pagat indeksohen me “Pagën Minimale”
Projektvendimi sjell një rregullim të rëndësishëm për krahun e punës. Punimet në pyje janë ndarë në 4 kategori vështirësie.
Për të mbrojtur punonjësit dhe për të formalizuar tregun, pagesa për kategorinë bazë (Kategoria I) do të jetë e lidhur direkt me Pagën Minimale zyrtare në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kategoritë e tjera (II, III dhe IV), që nënkuptojnë punë më të vështira apo të kualifikuara, do të paguhen më shumë, bazuar në koeficientë të caktuar indeksimi mbi pagën bazë.
Qëllimi, mbrojtja e mjedisit
Sipas relacionit shoqërues, ky standardizim nuk bëhet vetëm për arsye financiare, por kryesisht për të mbrojtur mjedisin. Vendosja e rregullave strikte për mënyrën se si pritet, si rehabilitohet dhe si ndërtohet në pyje, synon të frenojë dëmtimin e biodiversitetit dhe erozionin, duke garantuar se çdo para e shpenzuar nga buxheti i shtetit apo donatorët shkon për punime cilësore.
Zbatimi i këtij vendimi, pasi të miratohet nga qeveria, do të ngarkohet Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe të gjitha Njësitë e Qeverisjes Vendore (Bashkitë).
Pikat kyçe të projektligjit
Zëvendësohet manuali i vitit 1985.
Çmime dhe standarde të njëjta në të gjithë Shqipërinë.
Lidhja e pagesës së punëtorëve me Pagën Minimale zyrtare.
Normat e punës ulen nëse vendi i operacionit është larg zonave të banuara.










































