Fryma e Frankofonisë në Kosovë, Kurti: Diaspora frankofone një urë lidhjeje mes Kosovës dhe botës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sonte në hapjen e Javës së Frankofonisë në Prishtinë, ku theksoi përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me vendet frankofone dhe kërkoi mbështetje për avancimin e statusit të vendit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Kurti tha se kjo ngjarje kujton se kultura peshon rëndë, gjuha lidh njerëzit dhe vlerat bashkojnë popujt, duke theksuar se në një kohë kur ndarjet po thellohen, dialogu është më i fortë se izolimi dhe kultura më e qëndrueshme se konflikti.
Ai u shpreh se vendet frankofone janë miq të çmuar dhe partnerë të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa mbështetja e tyre mbetet e vyer në rrugëtimin e vendit si shtet, e ndërtuar mbi besim, respekt dhe synim të përbashkët për një shoqëri të lirë e demokratike.
Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për të forcuar praninë e gjuhës frënge në shkolla dhe për të shtuar bashkëpunimin me vendet frankofone.
Po ashtu, ai ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për ngritjen e statusit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, nga anëtare e asociuar në anëtare të plotë.
"Më lejoni, Shkëlqesi Ambasadorë, të ritheksoj rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes suaj për ngritjen e statusit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, nga një anëtare e asociuar në anëtare të plotë, si një hap i natyrshëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë. Shqipja, nga populli shqiptar, mbase më shumë se me libra, është ruajtur me bindje. Respekti ynë për gjuhët tjera, rrjedh nga e njëjta bindje me të cilën kemi mbrojtur tonën. Për ne, çdo gjuhë mbart një histori që nuk mund të përkthehet në tërësi dhe pikërisht aty qëndron rëndësia e saj", deklaroi kryeministri.
Ai mes tjerash theksoi se diaspora kosovare në vendet frankofone ka qenë një urë e gjallë lidhjeje mes Kosovës dhe vendeve frankofone.
Kurti falënderoi ambasadat dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur organizimin e kësaj jave, duke uruar një javë të bukur në Gjilan, qytetin mikpritës të Frankofonisë këtë vit.



















































