LAJMI I FUNDIT:

French Open 2017: Angelique Kerber humbet nga Makarova në rundin e parë

French Open 2017: Angelique Kerber humbet nga Makarova në rundin e parë

Turneu “Roland Garros” nis me një surprizë të madhe.

Numri një i botës në renditjen “WTA”, Angelique Kerber u eliminua që në raundin e parë, për të hyrë në historinë e këtij turneu “Grand Slam” si tenistja e parë që kryeson renditjen botërore, e cila humbet që në ndeshjen e parë të tij.

Ajo që shkaktoi këtë befasi në turneun parisien ishte Ekaterina Makarova, që e fitoi përballjen me gjermanen 2-0. Makarovës iu deshën vetëm 88 minuta lojë për të mposhtur Kerberin me sete 6-2, 6-2. Për në raundin e dytë u kualifikua Venus Williams, e cila mundi kinezen Qiang Wang me rezultatin 2-0. Tenistja amerikane fitoi setin e parë 6-4, ndërsa në të dytin ajo vuajti pak më shumë, por arriti ta fitojë atë me “tiebreak” 7-6.


Në kampin e meshkujve, Grigor Dimitrov dhe Dominic Thiem nuk e patën aspak të vështirë të kualifikohen për në raundin e dytë të turneut “Roland Garros”. Bullgari Dimitrov eliminoi në raundin e parë, Stephane Robert, teksa e fitoi ndeshjen në 3 sete 6-2, 6-3 dhe 6-4, transmeton TCh.

Edhe më e lehtë ishte sfida për Thiem, që mundi australianin Tomic. Tenisti austriak nuk i la asnjë mundësi Tomic të rivalizonte në këtë ndeshje, të cilën e mbylli me rezultatin 3-0, me sete 6-4, 6-0 dhe 6-2.