Kjo javë ka shënuar disa ngjarje të rëndësishme e të cilat do të mbesin në kujtesën tonë si ngjarje të mira, e ndërsa njëra prej tyre nuk ishte aspak e këndshme.
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ditë më parë u mbajt ceremonia e ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” për laureatin e çmimit Nobel, Dan Shechtman. Fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova kapi momentin kur Shechtman ngriti me dy duar çmimin lart.
Ndërsa flasim për çmime, shtrohet pyetja: Çfarë çmimi t’i japim motit për këtë javë? Përderisa e gjithë java është shoqëruar me mot të ftohtë dhe me shi, shatërvani i lëshuar javën e kaluar nuk ka ndaluar edhe pas këtyre reshjeve.
Po ashtu syri magjik i Slivovës kapi një tjetër moment në shënimin e aktiviteteve nga Zyra e Bashkimit Evropian në shënimin e Ditës së Evropës.
Të enjten Kosovën e vizitoi emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
E ashtu siç po shihet dhe në fotografi, reshjet e shiut në vend ishin shoqërues të asaj dite, në të cilën Lajçak me delegacionin e tij mbanin çadra në duar duke ecur në sheshin e Prishtinës e pas tyre në sfond shihet shatërvani i Prishtinës.
Mirëpo, kjo javë nuk ishte aspak e këndshme edhe për një person të cilin në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë e sulmuan disa qenë endacak.
Qentë endacak në Komunë të Prishtinës, por edhe në komuna të tjera të Kosovës të cilët janë të shumtë në numër, janë duke u paraqitur dita ditës rrezik për qytetarët. /Telegrafi/