“Florenc Çapja u dëbua nga Dubai, nuk u ekstradua”, eksperti tregon arsyet

Eksperti i sigurisë Faik Basha ka folur për mbërritjen në Shqipëri të Florenc Çapjas një nga emrat më të kërkuar të botës së krimit në vendin tonë.
Ai tha se ky person është dëbuar nga Dubai dhe nuk është ekstraduar, pasi ende nuk ka një marrëveshje për ekstradimin mes vendit tonë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Dëbimi sipas tij mund të ketë ardhur pasi persona si Çapja kalojnë në Dubai në filtrin e gjykatave të vendit.
“Shteti shqiptar ka disa kërkesa bashkëpunimi për elementë të krimit të organizuar të cilët ndodhen në Dubai dhe nuk janë miratuar. Kemi dy që janë dëbuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi nuk ka ekstradim. Për ekstradimin duhet të ketë një marrëveshje ku personi ka kryer një krim në vendin e origjinës dhe të gjitha provat dhe fakte dërgohen atje dhe më pas kryhet ekstradimi. Ne nuk e kemi këtë. Por ka një bashkëpunim mes dy qeverive. Bashkëpunimi që të bëhet dëbimi i një personi, Dubai ka disa kritere, duhet të kesh një veprimtari ekonomike, duhet të kesh garanci, duhet të jesh i rregullt me shtetin atje".
"Janë disa ligje të emigracionit që shtetas nga e gjithë bota mund të përfitojnë nga ligjet dhe nga hapja e shtetit të Dubait për tu afruar dhe për të përfituar nga njerëzit që disponojnë një ekonomi të fortë. Në rast se këta shtetas kanë ekonomi, por kanë edhe një CV kriminale me vete, këta persona kalojnë nëpërmjet një filtri të gjykatave të atij vendi. Problemi lind a janë të afta shtetet për të çuar dokumente dhe prova të sakta që ky person është i rrezikshëm”, tha Basha./Euronews Albania


































