Shprehia e zbulimit të shputave të këmbëve është e pavetëdijshme, mirëpo për të ekziston edhe shpjegim shkencor, i cili ka të bëjë me temperaturën e trupit

Në të vërtetë, kur temperatura e trupit është e lartë – jemi më aktivë, por kur është më e ulët lehtë mund të qetësohemi dhe të flemë gjumë.


Temperatura ideale e dhomës për gjumë është 18 gradë Celsius, ndërsa me shputat e pambuluara rregullojmë temperaturën e trupit. Prandaj, shputat në të vërtetë janë mekanizma të përsosur për ftohje, transmeton Telegrafi.

Eksperti i gjumit ka zbuluar që shputat kanë strukturë të posaçme vaskulare të cilën nuk e ka asnjë pjesë tjetër e trupit.

Në të vërtetë, arteriet dhe venat zgjerohen kur kemi të nxehtë, dhe më shumë gjak arrin në sipërfaqe të lëkurës dhe në atë mënyrë e ftoh atë.

Veç kësaj, shputat nuk kanë qime, andaj bëhen të ftohta gjatë natës. Prandaj temperatura jonë trupore rregullohet dhe mund të flemë rehat.

222785 shutterstock 290389907 ff

Për të fjetur gjumë, temperatura e trupit duhet patjetër të ulet për gjysmë grade apo për një gradë Celsius. Prandaj është e vështirë të flihet gjumë kur dhoma është e ngrohtë.

Meqenëse është me rëndësi që trupi gjatë natës të “ftohet”, mbajtja e shputave jashtë çarçafëve është krejtësisht e mjaftueshme.

Me arritjen e ditëve më të ngrohta shumica kanë dilemë – t’i mbulojnë apo jo, ndërkaq zbulimi i shputave derisa trupin e keni të mbuluar mund të jetë zgjidhje e përsosur. /Telegrafi/