Flamur Kasami është duke përfaqësuar Kosovën në Konkursin Ndërkombëtar të Kuranit, që po zhvillohet në Malajzi.

Përmes një postimi në Facebook, Kasami ka thënë se është shumë i privilegjuar dhe mirënjohës që përfaqëson Kosovën, gjegjësisht Bashkësinë Islame të Kosovës në një ndër garat më të mëdha botërore të Kuranit në Kuala Lumpur të Malajzisë.


Ceremonia e hapjes së garës - që zhvillohet nga 5 deri më 12 tetor - u mbajt në Qendrën Botërore të Tregtisë në Kuala Lumpur me pjesëmarrjen e garuesve, zyrtarëve malajzianë dhe jo vetëm.

Ajo përfshinte një recital nga recituesi pesë herë kampion malajzian Rahmas Abdullah.

Ngjarja organizohet çdo vit në kryeqytetin e vendit, Kuala Lumpur nga Departamenti i Zhvillimit Islamik të vendit (JAKIM).

Ndërsa duke iu drejtuar ceremonisë së hapjes, kryeministri malajzian Anwar Ibrahim theksoi rëndësinë e unitetit dhe mençurisë.

"Mendimi mendjengushtë do të na fundosë. Në të njëjtën kohë, të menduarit e nxituar dhe jo i mençur do të bëhet një sfidë për ne", citohet të ketë thënë ai.

Ai theksoi nevojën për mirëkuptim, durim dhe mençuri në vendimmarrje, veçanërisht në dritën e luftës së vazhdueshme në Gaza. /Telegrafi/