Me fjalë e vepra, këmbëkryq në Mesjetë!

Duke parë e lexuar çka po ngjanë në mesin tonë, pakkujt i shkon mendja se Mesjeta, këtu të na, akoma qëndron këmbëkryq në çdo cep toke ku flitet shqip.
Mos harroni se vëllavrasja - hakmarrja është përsëritur diku edhe pas treqind vjetësh. As migrimi larg atdheut me mijëra kilometra larg nuk e hoqi qafe vëllavrasjen, duhet ta pranojmë. Sa herë e shqiptojmë fjalën pajtim mes nesh e sa herë flasim keq për tjetrin që nuk është prezent, nuk ka askund shenjë barazimi.
Sa herë përmendet fjala ligj e shtet, nuk kalon pa përmendur zjarri, me djeg diçka, apo pse jo edhe pushkën me rrokë, thuajse e kemi bërë namin kundër pushtuesve. Këso deklaratash dëgjohen edhe nga njerëz tanë madje të shkolluar e më fakultet. Bile mediat e ndryshme që tash thuajse të gjitha janë private, nuk lanë pa gjiruar drejtpërdrejt, edhe çdo sharje e kërcënim, por edhe kacafytje të drejtpërdrejta, qofshin ato edhe për gjerat më banale.
Si nuk u kujtua askush të përkujtonte ku ishim dhe cilave zakone të egra ju nënshtroheshim qoftë edhe me zor.
Akoma nuk kemi kaluar kufirin e mëhallëve dhe fiseve, e aty pashmangshëm qëndrojnë hazër bajraktarët, të gatshëm për të nxjerrë kokën e besa edhe pushkën, kundër vëllait, por fare pak kundër pushtuesve që të na janë ndërruar aq shumë herë. Sa lehtë që flasim për besën, që realisht nuk e mbajmë kurrë. Sa fort mburremi me fise e bajraqe e sa shumë këngë folklorike janë thurë, por në të vërtetë për mburrje ka fare pak fjalë për këngë.
Po të lexojmë mirë do të kuptojmë se me shekuj të tërë shteti realisht nuk na ka interesuar fare.
Edhe kur u bë shteti, e pamë kiametin mes veti.
E pamë Shqipërinë çka i bëri e po i bën vetes akoma.
Pikërisht kështu bëjnë edhe sot kur ndahen vëllezërit tanë mes veti.
Se çka është bashkimi kombëtar le ta thonë ata që për ushqim kanë vetëm përçarjen mes nesh dhe thërrasin për vëllavrasje, pa u skuqur, qoftë edhe para kamerave të cilat sot i posedon çdo njeri i zakonshëm.
Po pse për gjithë atë milet që ishte prezent te kulla e ngujimit në Theth të Shqipërisë, nuk kishte kurrfarë kuptimi. Po si u tubuan ata burra (thoshin që qenkan bajraktarë fisesh) te lisi, por kullën e ngujimit pranë tyre nuk e shihnin dot me sy dhe për ta ajo dukej sikur nuk ka kurrfarë kuptimi.
Jeta fisnore me rregulla të rrepta akoma kufizon shumë gjëra. Rrallëkujt i shkonte mendja për të bërë diçka duke llomotitur për gjoja zakonet e moçme. Shkelja e rregullave të jetës fisnore kishte e ka akoma pasoja. Në rolin e gjykatësit përbrenda familjes, zakonisht ishte prindi e vazhdon të jetë akoma. Në familjet e mëdha kishte më shumë prindër. Një mashkull, zakonisht më i vjetri, ishte zot shtëpie dhe ai vendoste rregullat e sjelljeve dhe të punëve në familje. Me kalimin e kohës, kishin parë se detyra e të zotit apo zonjës së shtëpisë ka rëndësi të madhe! Aty-këtu kishin filluar të zgjedhin zot shtëpie anëtarin më të mençëm të familjes, pa marr parasysh moshën. Për shkeljen e rregullave kanunore nga fëmijët, përgjegjës ishte prindi. Në familjet e mëdha, prindi përgjigjej për fëmijët e tij para të zotit të shtëpisë. Në rast se prindi ishte i zoti i shtëpisë, ai kishte rol të shumëfishtë. Ai ishte përgjegjës për sigurimin e kushteve elementare të jetës për të gjithë anëtarët e familjes. Kujdesej edhe për mbarëvajtjen e punëve ditore e vjetore. Ai udhëzonte e mësonte, jo vetëm fëmijët e tij, por të gjithë ata që jetonin në bashkësinë e madhe familjare. I zoti i shtëpisë i ndante punët secilit. Jetesa në bashkësi familjare vazhdonte edhe përtej një shekulli. Brenda të njëjtës familje bëhej jetë e organizuar dhe me përgjegjësi për secilin.
Bashkësia familjare prishej zakonisht pas martesave.
Sapo rriteshin fëmijët dhe bëheshin për martesë, fillonin ndarjet nëpër dhoma gjumi. Atje në fshehtësi fillonte copëtimi i kulaçit të përbashkët.
Ndonjë nuse e ardhur rishtazi, me kalimin e ditëve, fillonte të shfaqte edhe veset e trashëguara të mira apo të këqija nga familja e saj.
Një nuse e re, e mësuar keq në një familje tjetër, nëse gjente hapësirë në shtëpinë e burrit, dalëngadalë fillonte veprimet tinëzare. Edhe sot e gjithë ditën shohim këto “marifete” Këto vese nuk kalojnë pa u vërejtur nga i zoti i shtëpisë. Ai, për një kohë, krejt në heshtje, përcillte me vëmendje veprimet e çdo anëtari të familjes. Mosrespektimi i urdhrave të zotit të shtëpisë, qoftë edhe vetëm nga një anëtar i familjes, shkaktonte plasaritje që nuk shërohej lehtë, dhe ato mbaheshin mend gjatë kohë. Në të shumtën e rasteve, kjo plasaritje, jo vetëm që nuk shërohej, por zmadhohej duke sjellë edhe ndarjen përfundimtare të familjes. I zoti i shtëpisë, kur vërente mospajtimet brenda familjes, ndiqte e vlerësonte nga afër këto zhvillime. Pastaj, një ditë merrte vendim për ndarjen e familjes, e cila deri në atë çast kishte jetuar në bashkësi. Krejt këto janë fakte dhe i kemi edhe tash prezent kudo në jetën tonë.
Plasaritjet e familjeve të mëdha ndonjëherë i shkaktonte edhe ndokush nga meshkujt që vidhte diçka nga pasuria e përbashkët, por jo pak herë edhe zënkat pakuptim të grave sillnin përçarje të pashërueshme. Sot kur flitet për këtë dukuri, ajo është edhe më shumë e theksuar në emër të të ashtuquajturës barazi gjinore.
Zor është sot të gjendet një nuse e re që e duron vjehrrën, aq më pak për të jetuar në të njëjtën familje. Vetëm lajkat e zbehta sikur nëpër seriale filmike e ruajnë njëfarë, siç thonë, fytyre për të mos u bërë horë.
Vjedhja përbrenda familjes, e gjunjëzonte familjen në tërësi! Asokohe, sado e madhe dhe e pasur të dukej një familje, nuk kishte aq shumë gjera që mund të vidheshin. Zakonisht vidhej me strajca drithi nga hambari. Edhe vjedhja e fqinjit shkaktonte probleme të mëdha derisa diktohej kush ishte hajni. Pasonte izolimi i asaj familjeje nga të gjithë fqinjët.
Edhe vjedhja e gjërave më të vogla sillte probleme, jo vetëm për një familje, por për gjithë fisin. Dukuritë e shëmtuara, familjet e ndershme nuk mund t’i përballonin çdo ditë, kështu jo pak herë, kur ndaheshin nga familja, shumëkush iknin larg nga trungu i moçëm.
I pari i fisit bënte krejt çka kishte mundësi për pajtim, por shumë herë nuk kishte sukses. Edhe masat ndëshkuese, sipas kanunit, pak herë kryenin punë. Një njeri i ndëshkuar, sipas kanunit, ndodhte të përmirësohej, por frika nga e liga që mund të përsëritej, nuk largohej për një kohë të gjatë.
Nëse i zoti i shtëpisë nuk arrinte të ndante si duhet meshkujt e martuar, atëherë ftonte kryeplakun e fshatit ose të fisit dhe ai vendoste për ndarjen e pasurisë së tyre, apo edhe të kushërinjve që kishin jetuar së bashku deri atë ditë. Bashkësitë e mëdha familjare me kohë u rralluan. Ndarja e çdo familjeje ndiqej me interesim nga rrethi.
Njerëzit vlerësonin të mirat dhe të ligat që iu sillte ndarja.
Vihej në tryezën e bisedimeve gjithë pasuria që kishin. Nga ai çast, secili jetonte e ushqehej në shtëpinë e vet që i ka ra hise. Një familje e madhe, me vite nuk ka menduar për ndarjen e pjesëtarëve të saj. Kështu ndërtonin shtëpi të mëdha pa ndonjë plan për të ardhmen. Kur vinte çasti i ndarjes mes vëllezërve, dikush mbetej pa shtëpi dhe për një kohë kalonte jetën në kushte të rënda. E tëra varej nga i zoti i shtëpisë, por edhe nga pasuria e trashëguar.
Ndarja e pasurisë së patundshme behej vetëm për meshkuj. Kjo temë ishte trajtuar e rregulluar moti edhe me kanun.
Një kohë të gjatë, vajza para se të martohej, gjithë pajën (çejzin) e punonte nga pasuria e të atit, dhe e dërgonte të burri me të gjitha shpenzimet. Vajzës i garantohej siguria nga i ati në çdo rast kur rrezikohej të ndahej apo të torturohej nga burri. Ma kalimin e kohës, familjet e varfra nuk kishin asnjë mundësi për të paguar gjithë pajën (çejzin), qoftë edhe vetëm për një vajzë.
Jo pak prindër kishin edhe më shumë vajza dhe ato mbesnin pa martuar! Kjo dukuri, nga të mençmit ishte parë me rrezik për shoqërinë në përgjithësi. Në një kohë kur varfëria kishte përfshi shumë familje, të gjithë shihnin e mendonin se duhej ndërmarr diçka. Po mbesnin shumë vajza e djem pa martuar për shkak të varfërisë.
Të parët e fiseve ishin tubuar për të ndryshuar sado pak këtë gjendje. Ata kishin vendosë që secili djalë që merr një vajzë të varfër, të paguaj pajën nga pasuria e tij, dhe po atë pajë (çejz) do ta kthente në shtëpi me krushqi, bashkë me nusen. Kështu ishte hapur një mundësi më e pranueshme për rigjenerimin e popullatës.
Kishte edhe shumë të meta në shoqëri! Jo pak herë, një prind shiste vajzën me pare. Edhe kjo dukuri kishte zgjatur shumë kohë dhe kishte sjellë shumë të këqija për ato familje që ishin miqësuar me lek.
Për shitblerjen e vajzave dihet moti. Kjo dukuri e shëmtuar nuk u tejkalua për shekuj të tërë, por vetëm ndryshoi forma e metoda të tjetra. Këtë shëmti e shohim edhe sot në mesin tonë.
Të drejtat e femrës, sipas kanunit, kishin pësuar ndryshime disa herë gjatë historisë. Çdo ndryshim nuk kalonte lehtë. Edhe kur arrihej ndonjë pajtim për të drejtat e femrës, vendimi nuk zbatohej kudo. Ndryshimi behej shumë ngadalë. Ai ndryshim diku-diku nuk arrinte dot asnjëherë.
Ndarja e vëllezërve, me shekuj kishte sjellë edhe jo pak mospajtime e konflikte.
Ndërhyrja e shoqërisë për zgjidhjen e konflikteve mes vëllezërve shpëtonte shumë familje nga më e keqja. Jo pak herë, nuk kalonin pa probleme. Shumë herë, ndërmjetësimi bëhej vonë apo mungonte fare. Kur nuk kërkohej ndihma me kohë, pasojat ishin më të rënda.
Ndarja e familjes së madhe ligështonte sigurinë për të gjithë ata që deri dje kishin jetuar së bashku. Jo të gjithë e kuptonin me kohë e siç duhet rëndësinë e afërsisë së familjeve dhe të shtëpive për jetë më të sigurt.
Për çikërrima të vogla, shpërthenin konflikte të mëdha. Kur ndaheshin, vëllezërit ndërtonin konakët e rinj zakonisht afër njëri-tjetrit, por jo pak herë edhe zgjidhnin të ndërronin truallin duke u larguar në distancë të rrezikshme për sigurinë e domosdoshme për jetën e familjes, për të cilën rrallëkush mendonte. Pakkush nga ata që largoheshin nga trualli i moçëm, mendonin për sigurinë pas ndarjes nga trungu. Shumëkush e kuptonte vonë vlerën e fqinjit dhe të të afërmit.
Pas ndarjes së vëllezërve, dilnin në pah shumë të meta nga jeta që ata kishin bërë në bashkësi. Shumë vëllezër natyrshëm ishin tolerantë ndaj njëri-tjetrit, por jo pak herë kishte edhe mungesë tolerance. Vëllezërit që ishin të dashur e zemërgjerë mes vete, kur ndanin pasurinë, kalonin më lehtë; shfrytëzonin çdo mundësi që kishin për të ndërtuar konakët afër njëri-tjetrit. Edhe kur kishte hile me rastin e ndarjes, me zemërgjerësinë e njërit nga vëllezërit tejkaloheshin shumë situata të rënda. Ata që shtrinin dorën e pajtimit dhe që vazhdonin ta ndihmonin njëri tjetrin, sa herë që kishte nevojë, përparonin më shpejt se të tjerët.
Edhe ikja e vëllait nga vëllai njihej moti. Disa familjeve me numër të madh anëtarësh, që dukeshin sikur jetojnë mirë në bashkësi, pa kaluar shumë kohë nga ndarja iu dilnin për lendinë gjithë prapësitë që i kishin heshtur e mbajtur sekret me vite e dekada. Vendimet për ndarje arsyetoheshin me gjëra krejt të rëndomta. Ndodhte të ndahej një familje me pesëdhjetë anëtarë vetëm pse një gruaje të shtëpisë i kishte rënë një fije floku në gjellë. Edhe kur ndaheshin, në të shumtën e rasteve, familjarët vazhdonin të mbanin sekret shumë dobësi e ligësi të brendshme, duke i fshehur ato për kohë të gjatë. Kishte familje që jetonte në vuajtje, vetëm për të fshehur të metat përbrenda vetvetes.
Mospajtimet shpërthenin edhe kur vëllezërit nuk kishin as çka të ndanin. Kishte edhe përplasje fizike. Shumë herë konfliktet trashëgoheshin e vazhdonin ndër breza. Kishte edhe vëllavrasje, krejt për shkak të lakmisë, jo vetëm me rastin e ndarjes së pronës, por edhe për shkaqe banale.
Dembelia qoftë edhe vetëm e një anëtari të familjes, sillte mospajtime e ndarje edhe për gjerat më elementare.
Mënyra e jetesës në bashkësi të mëdha familjare nuk u tejkalua për shumë shekuj. Shkollimi ishte i panjohur. Më kalimin e kohës, ndonjë familje më e pasur arrinte të shkollonte ndonjë djalë, diku larg. Ata që shkolloheshin bëheshin më të ngritur, ndaheshin më lehtë dhe iu shmangeshin konflikteve brenda familjare. Me largimin nga trungu familjar, shumë herë shkëputeshin përfundimisht edhe kontaktet mes vëllezërve e të afërmeve .
Organizimi shoqëror e social i familjeve kishte ngecur mbrapa për kohë të gjatë.
Largimi nga trungu familjar nuk ishte i lehtë. Familja që vendosej larg trungut, menjëherë duhej të fillonte të përshtatej me rrethin e ri. Rritja e fëmijëve në rrethin tjetër, krijonte marrëdhënie të reja. Fëmijët formoheshin e edukoheshin në kushte të tjera. Ndikimit të rrethit të ri, nuk i shmangej dot askush.
















































