Në qendrën e votimit në lagjen Ulpiana të Prishtinës, një situatë e pazakontë u raportua gjatë ditës së votimeve. Gencit, person me sindromën Down, fillimisht iu mohua e drejta për të votuar – pavarësisht se ai kishte marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme.

Rastin e ka bërë publik drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, e cila tha se pas reagimit të familjes dhe ndërhyrjes së saj, Gencit më në fund iu lejua të votojë.




“Në lidhje me moslejimin e Gencit për të votuar, pas reagimit tonë si familje, atij iu mundësua ta ushtrojë të drejtën e tij, por procesi mbetet shqetësues për ne”, deklaroi Hajdini-Beqiri, raporton Telegrafi.

Ajo shtoi se Genci ka votuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 12 tetorit, dhe se mohim i tillë i së drejtës është i pajustifikueshëm. “Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, Genci ka të drejtë të votojë, pasi ka zotësi veprimi,” tha ajo.

Sipas saj, pengesat erdhën nga një udhëzues zyrtar për votuesit me asistencë, i cili, siç thotë ajo, është në kundërshtim me ligjin.



“A jeni të vetëdijshëm që asnjë dokument zyrtar nuk mund të hartohet në kundërshtim me ligjin?”, shkroi ajo në reagimin e sajpublik.

Në fund, Hajdini-Beqiri i është drejtuar me një mesazh prekës Gencit: “Më fal që u zhgënjeve sot. Kjo është Kosova jonë”. /Telegrafi/