FFK sqaron situatën rreth stadiumit të Prishtinës, thotë se ndeshja Prishtina-Drita nuk do të zhvillohet aty
Federata e Futbollit të Kosovës [FFK] ka dalë me komunikatë zyrtare për të sqaruar situatën në lidhje me stadiumin e Prishtinës.
Prishtina dhe Drita do të luajnë mes vete në ndeshjen e fundit të sezonit 2017/18, ndeshja e cila do të vendos kamponin e këtij sezoni.
Komuna dhe klubi i Prishtinës kanë bërë kërkesë zyrtare tek FFK-ja për të zhvilluar këtë ndeshje në kryeqytet dhe tanimë federata ka dalë me komunikatë zyrtare rreth kësaj çështje.
Komunikata e plotë e FFK-së: "FFK-ja me kujdes ka përcjellë lajmet për ndeshjen e shumë përfolur dhe kërkesën e FC “Prishtina” që ndeshja e fundit këtij kampionati ndërmjet dy pretendentëve për titull Prishtinës dhe Dritës të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, ndaj jep këtë sqarim për opinion". "FFK-ja gjithmonë ka dashur dhe ka qenë e interesuar që ndeshjet të zhvillohen në stadiume të mira dhe sidomos në Prishtinë. Por siç dihet tashmë stadiumi i qytetit në Prishtinë është në rinovim e sipër".
































