FFK i kundërpërgjigjet MKRS-së, thotë se ka miratuar ndryshimet statutore

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të hënën ka publikuar një video, duke i dërguar mesazh MKRS-së lidhur me ndryshimet statutore.
MKRS-ja e informoi FFK-në para disa ditëve se duhen kompletuar disa statute para se ta zhvillojnë Kuvendin Zgjedhor, i cili është paraparë të mbahet në muajin shkurt.
Sidoqoftë, FFK-ja përmes një video pesëminutëshe thotë se ka miratuar të gjitha ndryshimet statutore të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s.
“FFK ka miratuar ndryshimet statutore të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s në punimet e Kuvendit të kaluar.
Faktet flasin vetë, prandaj e risjellim momentin e këtyre ndryshimeve”, shkroi ndër të tjera FFK-ja.
Së fundmi reagoi edhe presidenti i FFK-së Agim Ademi, i cili publikoi një foto me Gianni Infantinon e FIFA-s dhe Aleksander Ceferin të UEFA-s.
“TË harmonizuar. UEFA, FIFA, FFK. Në 125-vjetorin e themelimit të Federatës së Futbollit të Hungarisë”, shkroi ai.
Përndryshe, Kuvendi Zgjedhor i FFK-së është paraparë të zhvillohet më 5 shkurt 2026./Telegrafi





















































