Festa e Flamurit nisi që mbrëmjen e së enjtes në qytetin e Vlorës dhe Elbasanit.

Në qytetin e Vlorës, aty ku zemra e Pavarësisë rreh më fort se kudo, valltarë nga të gjitha trevat shqiptare ndezën atmosferën në Bulevardin “Ismail Qemali”, duke sjellë ritme, ngjyra dhe tradita që bashkojnë breza e qytete.


Mes duartrokitjeve dhe flamujve valëvitës, bulevardi u kthye në një skenë të madhe shqiptarie, duke çelur kështu zyrtarisht festimet e ditëve të Pavarësisë.

Këtë të premte pritet mbërritja e autoriteteve më të larta të vendit, ndërsa edhe mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria pritet t’i bashkohen festimeve në kryeqytetin e Pavarësisë.

Ndërkohë, muret historike të Kalasë së Elbasanit morën një pamje mbresëlënëse, teksa u ndriçuan me ngjyrat kuqezi duke hapur zyrtarisht festimet e ditëve të Pavarësisë.

Edhe sot, aktivitetet festive do të vijojnë në të gjithë vendin, me koncerte, performanca dhe aktivitete kulturore. /euronewsalbania/