"Fergie e shkatërroi Himnin kombëtar" - kritika dhe tallje me këngëtaren për interpretimin më të keq të himnit në All-Star

Këngëtarja amerikane, Fergie, e ka kënduar himnin në edicionin e sivjetmë të NBA All-Star-Game që është trajtuar si interpretimi më i keq në histori i Himnit kombëtar amerikan.
42-vjeçarja ka marrë një sërë kritikash në rrjetet sociale për interpretimin e saj në Staples Center të Los Angelesit. Natyrisht se kritikat janë shoqëruar edhe me tallje në adresë të saj.
Madje edhe disa prej basketbollistëve janë xhiruar duke qeshur me këngëtaren, derisa ajo e këndonte himnin. Draymond Green ishte njëri prej tyre.

Jimmy Kimmel ishte një tjetër personazh i njohur, i cili nuk ka mundur të përmbahet nga interpretimi i keq i këngëtares.
Khloe Kardashian ka qenë ndër yjet televizive që ka reaguar me postim në Twitter: "Kjo hapje e All-Star më bëri konfuze. Çfarë është duke ndodhur? Mund të më tregoni?".
Ndërkohë që një sërë kritikash dhe talljesh nga përdoruesit e shumtë të rrjeteve sociale janë shoqëruar edhe me imazhe me përmbajtje qesharake.

E pranishme në palestër ishte edhe Beyonce Knowles, e cila po ashtu ishte kritikuar për interpretim të incizuar të Himnit Kombëtar amerikan gjatë inaugurimit të dytë të Barack Obama. /Telegrafi/


















































