Situata e rënduar atmosferike që ka goditur disa zona të Shqipërisë ka shkaktuar përmbytje të shumta, por në Devoll është shfaqur edhe një fenomen i rrallë pas tërheqjes së ujit.

Në afërsi të fshatit Vranisht, rrjedhat e fuqishme kanë nxjerrë në sipërfaqe dhjetëra peshq, të cilët janë gjetur të shpërndarë në tokë nga banorët e zonës.


Banorët raportojnë se ky është një fenomen i pazakontë për Devollin, pasi reshjet e dendura dhe fryrja e përroit kanë shtyrë sasinë e madhe të peshqve jashtë shtratit të ujit.

Ndërsa përmbytjet kanë shkaktuar dëme në disa zona, ky episod i rrallë ka ngjallur edhe kureshtje tek banorët lokalë, të cilët thonë se një situatë e tillë nuk është parë prej vitesh.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, pasi reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar shqetësime të mëdha sidomos në zonat malore dhe në ato pranë lumenjve./Telegrafi/