Megjithëse ende nuk ka zyrtarisht një shkak për krimin e dyfishtë në Fier, kur Drini Derveni, sipas policisë vrau Ermira Dushi (Arapi) 29 vjeçe dhe pastaj edhe veten, zbardhen të tjera detaje.

Dyshimi kryesor mendohet se është pikërisht shtatzënia ajo që ka futur në konflikt dy të rinjtë, çka përfundoi tragjikisht për jetën e të dyve.


Hetimorët kanë ngritur dyshime se 29-vjeçarja mund të ketë qenë shtatzënë me të dashurin e saj, Drini Derveni, dhe se ky i fundit i ka kërkuar të abortonte, pasi ai ishte baba i dy fëmijëve (më e vogla pak muajshe). Ndërsa pista tjetër e dyshuar është shtatzënia e Ermira Dushit me të shoqin.

Për këtë shkak ajo i ka kërkuar ndarjen 32-vjeçarit, por ai nuk e ka pranuar këtë. Gjithsesi, këto dy pista mbeten në kuadër dyshimi deri në hetimin e plotë të kësaj tragjedie që ndodhi në aksin Fier-Hoxharë. Viktimat u gjetën pa jetë në fuoristradën me targë AA 939 OY, në pronësi të 32-vjeçarit, mjet i parkuar në anë të rrugës, pranë Urës së Shënpjetrës.

Dy telefonat e tyre janë sekuestruar dhe brenda javës që vjen do të kërkohet verifikimi i tabulateve telefonike, mesazheve e komunikimeve mes tyre, por edhe me persona të tjerë. Kjo pasi policia, veç dyshimit paraprak ku vajza është vrarë nga i dashuri e më pas ky i fundit ka qëlluar edhe veten, ka dyshime për një ekzekutim të mundshëm të tyre nga persona të tretë. Burime të Policisë thanë se janë duke hetuar në të gjitha pistat e mundshme.

Pasi janë kryer veprimet procedurale, trupin e Drini Dervenit e kanë tërhequr familjarët e tij, ndërsa atë të Ermira Arapit e kanë marrë prindërit e saj në Lushnjë. Familja e Ermirës është kthyer gjatë natës nga Greqia, ku jetojnë e punojnë prej vitesh.

Ata kanë firmosur tërheqjen e trupit të së bijës. Pasi i kanë bërë nderimet në shtëpinë e tyre në fshatin Ngurrëz të Lushnjës, miq e të afërm të familjes e kanë përcjellë në banesën e fundit.

Po ashtu edhe familja e Drini Dervenit ka përcjellë me dhimbje djalin e tyre. Në ceremoni ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e lënduar nga vdekja e parakohshme e të shoqit, i cili i la pas dy fëmijë të mitur.

Sipas fqinjëve të familjes, bashkëshortja e Dervenit nuk është vënë në dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe as lidhjen me 29-vjeçaren. Ndërkohë, reagimi i bashkëshortit të Ermirës, shtetasi A. Dushi, mësohet se ka qenë mjaft demonstrativ dhe i ashpër. Mësohet se pasi ka mësuar vrasjen e bashkëshortes, ai është nisur menjëherë bashkë me prindërit e tij në Fier.

Deri në momentin e mbërritjes, ai nuk e ka ditur shkakun dhe as rrethanat. Por sipas të afërmve të familjes, ai ka mohuar tërheqjen e trupit të bashkëshortes dhe varrimin e saj pasi ka mësuar të vërtetën.

Sipas burimeve, ai nuk ka shkuar as në ceremoninë mortore në Ngurrëz dhe është distancuar nga të gjitha obligimet e familjes së saj. Vajza e mitur e çiftit Dushi qëndron me babanë e saj.