Eurobasket 2025: Gjeorgjia eliminon Francë, Sllovenia dhe Polonia tutje, Greqia mbahet te Antetokounmpo

Katër ndeshjet e së dielës kanë përcaktuar katër çerekfinalistët e fundit të Eurobasketit 2025.
Pas Finlandës, Lituanisë, Turqisë dhe Gjermanisë që kishin kaluar më herët, tashmë edhe Polonia, Gjeorgjia, Sllovenia dhe Greqia kanë siguruar biletën për fazën tjetër.
Polonia ndal Bosnjën dhe shkon në çerekfinale
Bosnjë-Hercegovina u ndal në një të tetën e finales nga Polonia, që fitoi me rezultat 80:72. Adis Beqiragic pa ekipin e tij të humbasë epërsinë e fillimit, ndërsa në çerekun e fundit polakët dominuan.
Ponitka (19 pikë, 11 kërcime) dhe Jordan Loyd (28 pikë) udhëhoqën Poloninë. Te Bosnja u dallua Jusuf Nurkiq me 20 pikë. Polonia në çerekfinale do të përballet me Turqinë.
Gjeorgjia eliminon Francën favorite
Befasia më e madhe e mbrëmjes erdhi nga Gjeorgjia, e cila mposhti Francën me rezultat 80:70. Baldwin (24 pikë) dhe Shengelia (24 pikë, 8 kërcime) ishin liderët e gjeorgjianëve.
Për Francën nuk mjaftuan Jaiteh (10 pikë) dhe Francisco (14 pikë). Ky është kualifikim historik për Gjeorgjinë, që në çerekfinale do të përballet me Finlandën.
Doncic i pakapshëm, Sllovenia kalon Italinë
Një tjetër spektakël personal i Luka Doncic çoi Slloveninë në çerekfinale. Ylli i NBA-së shënoi 42 pikë, 10 kërcime e 3 topa të rrëmbyer në fitoren 84:77 ndaj Italisë.
Sllovenët e nisën fuqishëm me 29:11 në çerekun e parë falë Doncicit, ndërsa Italia me Fontecchion (22 pikë) e bëri fundin dramatik, por cilësia vendosi.
Antetokounmpo dërgon Greqinë tutje
Në sfidën e fundit, Giannis Antetokounmpo udhëhoqi Greqinë me një “double-double” prej 37 pikësh e 10 kërcimesh, duke mundur Izraelin 84:79.
Sloukas shtoi 11 pikë për grekët, ndërsa te Izraeli u dallua Deni Avdija me 23 pikë. Greqia në çerekfinale do të përballet me Lituaninë.
Në çerekfinale do të takohen këto skuadra
Lituania - Greqia
Turqi - Poloni
Gjermani - Slloveni
Finlandë - Gjeorgji
Duelet e çerekfinaleve të Kampionatit Evropian janë planifikuar për të martën dhe të mërkurën, nga dy në programin ditor. E gjithë faza eliminatore luhet në Riga (Letoni). /Telegrafi/










































