Në një libër të ri, kritiku i teknologjisë, Cory Doctorow, zgjeron kuptimin e një termi të krijuar prej tij që tashmë është bërë shumë i rëndësishëm, si në Luginën e Silikonit ashtu edhe përtej saj.

Nga: Kyle Chayka / The New Yorker
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com


Ndonjëherë një term është aq me vend, kuptimi i tij aq i qartë dhe aq i rëndësishëm për rrethanat tona, saqë bëhet më shumë sesa një fjalë kyçe e dobishme dhe fillon të përkufizojë një moment të tërë. “Mutifikimi”/"Përmutje" [Enshittification] i shpikur nga kritiku dhe autori i teknologjisë, Cory Doctorow, është një nga këto. Doctorowi e shpiku këtë fjalë në vitin 2022 për të përshkruar sesi të gjitha shërbimet digjitale, të cilat gjithnjë e më shumë po dominonin jetën tonë të përditshme, dukeshin sikur në të njëjtën kohë po bëheshin më të këqija. Kërkimi në Google ishte bërë i mutifikuar, duke treguar reklama dhe vegëza produktesh në vend të rezultateve të rëndësishme nga faqet e internetit. TikTok-u ishte mutifikuar, duke “nxeh” artificialisht videot e caktuara për t’u bërë virale, duke frymëzuar imitime dhe duke rritur angazhimin - ndërkohë që frustronte krijuesit realizimet e të cilëve nuk po merrnin të njëjtin trajtim. Twitter-i shumë shpejt po bëhej mutifikim mbretëror në rilindjen e tij si X, duke humbur statusin si sheshi global i qytetit teksa rrëshqiste në ekstremizëm muskian dhe shpërblente mashtruesit dhe llogaritë e memeve në vend të burimeve legjitime të lajmeve. Spotify, iPhone, softuerët e Adobe-t, postat elektronike - ishte e vështirë të mendoje një platformë apo pajisje që nuk po përjetonte një rënie në përvojën e përdoruesit. A nuk do të duhej që teknologjia të përmirësohej vazhdimisht në planin afatgjatë? E gjithë kjo ndërhyrje e dëmshme nga korporatat të sillte në mend një mashtrim të Luginës së Silikonit [Silicon Valley], nga viti 2017, kur një kompani e quajtur Juicero grumbulloi më shumë se njëqind milionë dollarë për të ndërtuar një makinë për shtypjen e lëngut, qeset e patentuara të së cilës, siç doli më vonë, mund të shtrydheshin lehtësisht me dorë - një pajisje e mutifikimit par excellence.

“Enshittification” u shpall më 2023 fjala e vitit nga Shoqata Amerikane e Dialektit dhe më 2024 nga Fjalori Macquarie i Australisë. Pranimi i këtij termi pasqyronte një ndjenjë të zhgënjimit kolektiv. Në njëfarë mënyre, teknologjia po përmirësohej, por shumë shpesh ato përmirësime i bënin platformat më të afta për të nxjerrë vlerë nga përdoruesit dhe klientët, duke shtyrë para përfitimin dhe angazhimin për vetë kompanitë. Sa më e keqe që bëhej përvoja në Facebook, aq më shumë Meta kërkonte punë të papaguar nga krijuesit e përmbajtjes - ndërkohë që mbante të ardhurat nga reklamuesit. Uber-i eventualisht arriti profitin duke manipuluar në mënyrë algoritmike normat e pagesës për shoferët dhe duke kushtëzuar përdoruesit që të ulnin pritshmëritë; edhe aplikacioni i thirrjes së makinave u mbush me reklama. X-i i Musk-ut, i reduktuar në një sallë të mbushur me robotë të teorive konspirative të ekstremit të djathtë, mund të përdorte të dhënat si material trajnimi për kompaninë e inteligjencës artificiale të vetë Muskut.

Sipas argumentit të Doctorowit, mutifikimi ishte një model i qëllimshëm nga kompanitë teknologjike. Në librin e tij të ri me të njëjtin titull [Mutifikimi: Pse gjithçka papritur u bë më keq dhe çfarë duhet të bëjmë për këtë / Enshittification: Why Everything Suddenly Got Worse and What to Do About It], ai zgjeron postimet dhe artikujt e tij të ndryshëm mbi këtë temë në një teori të përgjithshme të “pse gjithçka papritur u bë më keq dhe çfarë duhet të bëjmë për këtë”, siç thotë nëntitulli. Mutifikimi zhvillohet në tri faza: së pari, një kompani është “e mirë me përdoruesit”, shkruan Doctorow, duke tërhequr turma njerëzish - si kurthet për brumbujt japonezë - me premtimin për ndërlidhje apo komfort. Së dyti, me atë audiencë të konsoliduar masive, kompania bëhet “e mirë me klientët e biznesit”, duke kompromentuar disa nga veçoritë e saj në mënyrë që klientët më fitimprurës, zakonisht reklamuesit, të lulëzojnë në platformë. Kjo fazë e dytë është ajo kur, le të themi, faqet tona në Facebook mbushen me reklama dhe postime nga brendet. Së treti, kompania e kthen përvojën e përdoruesit në “një grumbull të madh muti”, duke e bërë platformën më të keqe - si për përdoruesit ashtu edhe për bizneset, në mënyrë që të pasurojë më tej pronarët dhe drejtuesit e saj ekzekutivë. Faqet e Facebook-ut, tani të mbushura me mbeturina të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe video të shkurtra, janë futur në aktin e tretë të mutifikimit. I tillë është edhe TikTok-u i cili e ka ngarkuar ndërfaqen e tij, deri në shpërqendrim, me tregti elektronike në një përpjekje për të konkurruar me Amazon-in - që gjithashtu ka mutifikuar rezultatet e kërkimit në tregun e tij, duke promovuar brende pa kuptim.

Ndoshta kemi pritur shumë nga platformat digjitale në të cilat veprojmë. Përvojat që na kanë pëlqyer, në ditët e hershme të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve sipas kërkesës, rezultuan të pamundura për t’u mbajtur; shërbimet të cilat fillimisht ishin falas ose të subvencionuara do të duhej, në fund, të vetëfinancoheshin. Ëndrra e internetit të hershëm dhe më të hapur ishte që njerëzit të lidheshin me njëri-tjetrin me ndërmjetësim minimal, dhe Doctorow rendit faktorët strukturorë që të mbronin nga mutifikimi në atë epokë. Ato përfshinin kundërshtimin moral nga punonjësit e teknologjisë, të cilët dikur ishin aq shumë të kërkuar saqë mund të mbanin peng korporatat me kërcënimin se do të jepnin dorëheqje, dhe zbatimin e rregullave kundër monopoleve të cilat dekada më parë dekurajonin kompanitë, si IBM dhe Microsoft, nga shtrëngimi i tepërt i përdoruesve të tyre. Këto barriera mbrojtëse janë ndryshkur, por përdoruesit kanë qenë gjithashtu bashkëfajtorë në shfrytëzimin e pësuar. Disa nga të njëjtat veçori që i bëjnë aplikacionet kaq të përshtatshme - si shërbimi sipas kërkesës apo blerjet e menjëhershme - gjithashtu i bëjnë ato më të lehta për të abuzuar. Uber-i mund të rregullojë menjëherë se me çfarë i ngarkon konsumatorët dhe çfarë u paguan kontraktorëve, një mashtrim të cilin Doctorow e quan “manipulim”. Algoritmet e platformës janë krijuar për të na manipuluar që të angazhohemi, dhe shpeshherë ne e bëjmë këtë edhe kur e dimë që nuk është në interesin tonë. Shoferët e Uber-it, që pranojnë çdo udhëtim që u ofrohet nga një “dëshirë pa dallim për të kënaqur algoritmin”, në fakt “po sinjalizojnë se janë lehtë të shfrytëzueshëm”, të gatshëm të punojnë për “paga në pragun e urisë”, shkruan Doctorow.

Një strategji daljeje, e nënvlerësuar - për ata që janë lodhur nga mutifikimi - është tërheqja: ne, përdoruesit, mund të largohemi nga platformat të cilat e kthejnë pjesëmarrjen tonë pasive në mall dhe që na japin shumë pak në këmbim. Ka aplikacione dhe platforma që janë më të drejta, si Bluesky për rrjete sociale, pa toksicitetin e përhapur, ose Curb për taksi sipas kërkesës dhe pa shkelje të të drejtave të punës. Por, Doctorow nuk duket se e konsideron shumë të mundshëm një eksod masiv nga platformat e mutifikuara. Në vend të kësaj, ai përqendrohet te ndryshimi strukturor, duke ofruar zgjidhje ligjore dhe teknike që variojnë nga zbatimi më i mirë i ligjeve kundër monopoleve, te ndarja e konglomerateve teknologjike, e deri te rregullimi i mbledhjes së të dhënave personale në mënyrë që përdoruesit të kenë të drejta më të mëdha në internet. Në këtë front të fundit ka arsye për optimizëm: ligjet e reja në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian po i detyrojnë kompanitë teknologjike t’i trajtojnë më mirë përdoruesit në ato rajone, çka mund të përmirësojë kushtet në mbarë botën, pasi është më e thjeshtë për një kompani të ndërtojë një version të unifikuar të produkteve të saj sesa shumë versione të përshtatura në aspektin lokal. Por, bizneset amerikane shpikën shumë prej këtyre problemeve, dhe deri tani qeveria amerikane ka bërë pak për t’i rregulluar ato.

[Libri] Enshittification është një tekst i drejtpërdrejtë dhe efikas, ku të nxit stili ironik i Doctorowit dhe që lexohet ashtu siç është: blog profesional i zgjatur në mbi treqind faqe. Libri mbulon shumë tema, por ia lë lexuesit dëshirën për një zbatim më të madh të konceptit të tij në aspekte të tjera të kulturës dhe shoqërisë. Në një mbyllje shumë të shkurtër pyet: “A është mutifikimi thjesht kapitalizëm”? Përgjigjja është po, argumenton Doctorow, meqë sistemi ynë ekonomik aktual lejon që “levat e mutifikimit” të përdoren për nxjerrje përfitimesh pa kontroll. Ajo që do ta ndalte vërtet këtë proces do të ishte çmontimi i stilit të Luginës së Silikonit për investime të pamoralshme në startape gjë që ka krijuar një klasë miliarderësh që ndihen të aftë jo vetëm të drejtojnë kompani, por edhe të udhëheqin parti politike dhe agjenci federale. Libri ndalet para se të zgjerojë plotësisht konceptin e mutifkimit në politikën kombëtare, por termi është padyshim i rëndësishëm edhe në atë fushë. Nëse skema që përshkruan Doctorow përfshin premtime për përfitime për njerëzit, për t’i tërhequr më pas në mënyrë të çrregullt dhe për të degraduar shërbimet ekzistuese, atëherë Donald Trump është kryemutifikuesi. Gjatë administratës së tij të dytë, kërkimi shkencor, diplomacia, mbikëqyrja e korporatave dhe shërbimet sociale janë përkeqësuar. Përfituesi, sigurisht, është kryesisht vetë Trumpi. Ndoshta rezultati më i keq i mutifikimit është se na shtyn të presim që gjërat të jenë të këqija dhe të supozojmë se do të bëhen vetëm më keq. /Telegrafi/

Kopertina e librit "Enshittification: Why Everything Suddenly Got Worse and What to Do About It"