“Energjia nuk është lluks” - rinia e PDK-së kundërshton rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, përmes të cilit ka kundërshtuar paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, mungesën e saj si dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët e Kosovës.
Gjatë aksionit, të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës lanë para ministrisë një faturë simbolike të përmasave të mëdha, e cila, sipas tyre, pasqyron realitetin e rëndë të çmimeve të larta dhe jetesës me borxhe të shumë familjeve kosovare.
Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, para mediave foli kryetari i Degës së RDK-së në Prishtinë, Trim Syla, i cili tha se aksioni është një thirrje për përgjegjësi institucionale dhe ndalje të goditjes ndaj qytetarëve.

“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfatë jetën e qytetarëve çdo muaj,” tha Syla, duke shtuar se “një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike”.
Ai theksoi se kjo faturë përfaqëson modelin e një familjeje të vogël me dy prindër të punësuar, duke vënë në pah vështirësitë e jetesës edhe për familjet me të ardhura më të ulëta.
Sipas Sylës, rritja e çmimit të energjisë elektrike po i shtyn qytetarët drejt varfërisë.
“Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë,” deklaroi ai.
Syla shtoi se pasojat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike po reflektohen edhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe shërbimeve të tjera, ndërkohë që pagat mbesin të njëjta.
“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike,” tha ai, duke theksuar se fatura simbolike do të mbetet para Ministrisë së Ekonomisë deri në marrjen e përgjegjësisë nga institucionet.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës kërkoi ndaljen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, transparencë në menaxhimin e sektorit energjetik dhe politika publike që mbrojnë qytetarët nga varfëria dhe borxhet./Telegrafi/
















































