Ëndrra ime për Iranin

Nga: Arash Azizi ligjërues në Universitetin e Jejlit [Yale] dhe autor i librit What Iranians Want: Women, Life, Freedom [Çfarë duan iranianët: Gratë, jeta, liria] / TIME
Përkthimi: Telegrafi.com
Prej shumë vitesh tashmë, jam kapur pas një ëndrre shumë specifike. Ndodhem diku në Teheran, në qytetin tim të lindjes, duke bërë fushatë për zgjedhje. Trokas në derën e një apartamenti dhe përgjigjet një grua e moshuar. “Madar Jaan”, i drejtohem duke përdorur termin persian të përkëdheljes dhe respektit. “A do ta merrni në konsideratë votimin e Partisë së Majtë të Iranit”?
Ndonjëherë, në ëndërr, ajo më thotë të largohem. Herëve të tjera, shfaq interes dhe unë shpjegoj se partia jonë është socialiste, se duam të ndërtojmë më shumë ndalesa metroje dhe të hapim një fabrikë të re në lagje. Ajo thotë se do ta mendojë. Ëndrrat më të mëdha tingëllojnë kaq të zakonshme. Skena nga ëndrra ime është e zakonshme jo vetëm në vendin tim të adoptuar, Shtetet e Bashkuara, dhe në demokraci të tjera liberale, por edhe, në një formë të kufizuar, në Turqinë dhe Pakistanin fqinj. Që kjo të bëhet realitet në Iran, do të duhej të ndryshonin shumë gjëra.
Linda në Iran në vitin 1988. Përveç vitit të parë të jetës sime, atdheu im është sunduar nga i njëjti njeri: Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem që kishte autoritet përfundimtar mbi çdo vendim madhor, por që nuk i jep llogari askujt. Kam votuar në zgjedhjet e Republikës Islamike, por çdo kandidat në çdo fletëvotim u verifikua për besnikëri të plotë ndaj Khameneit. Partia politike që ka bindjet e mia për socializëm demokratik, as që mund do të ëndërrohet të ekzistojë ligjërisht në Iran. Asnjë parti politike jashtë kornizës islamiste nuk mund të ekzistojë. Kjo ndalesë më ka mbajtur prej vitesh larg Iranit. Politika ime më bën persona non grata.
Çdo protestë në Iran është kujtesë e mizorisë së Republikës Islamike dhe thirrje e ripërtërirë për fundin e saj. Edhe përmirësimi më i vogël duket i paimagjinueshëm pa fundin e regjimit. Por, kurrë nuk e kam besuar se mjafton thjesht të deklarojmë atë që kundërshtojmë, atë që nuk duam. Duhet gjithashtu të ëndërrojmë për atë që mund të jetë. Fantazitë e mia shumë specifike për Iranin e së ardhmes janë mënyra ime për ta mbajtur imagjinatën politike gjallë dhe të hapur.
Një ditë, në kulmin e protestave masive kundër regjimit në Iran në vitin 2022, pata një bisedë të gjatë, të përlotur, me një mik të dashur. Lejuam veten të alternonim vajtimin me ëndrrat për të ardhmen. Unë dhe miku im, si shumica e iranianëve, kemi krenari të skajshme për atdheun tonë, të bindur se Irani mund të rivalizojë çdo vend me ofertat e veta.
Ëndërronim të punonim për ekipin iranian të turizmit, duke hartuar fushata reklamuese për të tërhequr udhëtarë nga çdo cep i botës. Faltoret shiite të Iranit tashmë tërheqin miliona pelegrinë nga vendet myslimane. Ëndërronim për ditën kur miliona hebrenj do të mund të vizitonin Varrin e Esterës dhe Mordekait në Hamadan, dhe miliona bahaistë do të mund të vizitonin tokën më të shenjtë të besimit të tyre.
Ëndërronim që Fondacioni Saadi, një institucion i drejtuar nga qeveria dhe i dedikuar për promovimin e gjuhës persiane, do të mund të organizonte klasa me pjesëmarrje të madhe në Lisbonë, Montreal dhe Johanesburg. Në vend të ofertës së tij aktuale me pretendime të zymta islamiste, ai do të ofronte më të mirën e arteve dhe të kulturës iraniane: kinemanë tonë, poezinë tonë, ndoshta edhe verën tonë. Jam i sigurt se bashkatdhetarët e mi më mendjendritur do të gjenin diçka që nuk është klishe, por ne gjithsesi gjetëm një slogan: “Shijoje verën Shiraz që në të vërtetë është nga Shirazi”.
Nga shumë mundësi të shpërdoruara të Iranit, shpërdorimi i fuqisë sonë të butë dhemb më shumë. Edhe nëse Irani nuk do të bëhet kurrë demokraci e fortë, a nuk mund të përputheshin institucionet e tij të paktën më afër me interesat tona kombëtare dhe trashëgiminë tonë kulturore? A nuk mund t’i përdornim ato jo për të çuar përpara ndonjë ideologji regresive, por për të përhapur kulturën tonë dhe për ta përdorur atë për rritje ekonomike?
Disa mund të pohojnë se fantazitë, sipas përkufizimit, nuk njohin kufij. Unë nuk e ëndërroj demokracinë si ndonjë tokë të premtuar me qumësht dhe mjaltë, por si atë që është në të vërtetë: një parlament i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur lirshëm nga populli; një mundësi që do ta kisha për të bindur një bashkëkombës iranian të votojë për politikën time.
E di se, pavarësisht se çfarë vjen pas regjimit, ne nuk do të bëhemi Danimarkë. Gjithçka që dua është që të kemi një mundësi për t’i shërbyer vendit tonë. Shteti iranian ishte anëtar themelues si i Lidhjes së Kombeve, ashtu edhe i Kombeve të Bashkuara. Vendi ynë është një nga një grusht vendesh që nuk u kolonizuan kurrë nga evropianët. Të çliruar nga ideologët që e kanë mbajtur peng, madje edhe nga shumica e burokratëve që sot shërbejnë në Republikën Islamike, mund të zbulojmë sërish më të mirën e historisë sonë dhe t’i riorientojnë përpjekjet drejt përmirësimit të kombit tonë.
Në ëndrrat e mia, gjithmonë kujtoj se Irani nuk është vetëm i imi. Si çdo vend tjetër, kemi progresistët tanë shoqërorë dhe konservatorët tanë, besimtarët tanë të devotshëm dhe ateistët tanë, shenjtorët tanë dhe mashtruesit tanë. Dhe, me kaq shumë vrasje dhe dhunë në historinë tonë bashkëkohore, shumë iranianë e trajtojnë njëri-tjetrin me dyshim dhe mllef.
Por, vazhdoj ta vendos yllin tim polar sipas një slogani të përdorur dikur nga reformistët iranianë: “Irani për të gjithë iranianët”. Pastaj, ëndërroj të pushoj në plazhet e bukura të Detit Kaspik ose të Gjirit Persik, ku disa iraniane do të vishnin bikini dhe të tjerat burkini. Ëndërroj të frekuentoj një librari të majtë në rrugën e famshme Enghelab të Teheranit, ndërsa të tjerët shfletojnë homologët islamistë ose libertarianë. Në fantazitë e mia, ne të gjithë e ndajmë vendin së bashku, pa e shqyer atë për hir të vizionit tonë.
Ndërsa iranianët vajtojnë dhe varrosin të dashurit e tyre - të vrarë me mijëra nga regjimi - është e vështirë të flitet për fantazi. Edhe pse shoh shkrimin në mur për Republikën Islamike, e di se nuk kemi një rrugë të lehtë drejt demokratizimit. Por, nuk do të ndalem kurrë së ëndërruari për Iranin që mund të jetë. /Telegrafi/




















































