Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës së tij, shtetasen argjentinase, Maria Clara Urdangaray.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri.


“Vendimin e shqiptuar me burgim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e paraburgimit. Të akuzuarit me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim...”, tha kryetari i trupit gjykues.

Në seancën ku u shpall aktgjykimi ndaj Nikës, të pranishëm ishin edhe prindërit e viktimës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit.

Pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë.

Tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.