Ekspozita në Prishtinë, Prokuroria Speciale: Do të vlerësohet nëse ka elemente të përgjegjësisë penale

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1988-1999” e cila qëndroi për disa ditë e hapur në sheshin “Nënë Terezë” është larguar sot për shkak të reagimeve të shumta që ka pasur për të dhëna dhe përmbajtje të pasaktë.
Reagime të shumta ka pasur nga ish deputetë, parti politike, shoqëria civile e të tjerë.
Pas kritikave të shumta ka reaguar edhe vetë autori Shkëlzen Gashi, duke dhënë versionin e tij, ndërkaq së fundi reagim pati edhe nga Fondi Humanitar për të Drejtën.
E lidhur me këtë ekspozitë kanë reaguar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku thuhet se po përcjellin me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
Prokuroria tutje thekson se kjo çështje do t'i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, e cila ishte vendosur në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë.
Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t'i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/






















































