LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia, prioritet i partive politike gjatë fushatës zgjedhore

Ekonomia, prioritet i partive politike gjatë fushatës zgjedhore

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë filluar para fushatën zgjedhore duke premtuar miliona e miliarda euro për ekonominë kosovare, derisa ritmin dhe fokusin e njëjtë në premtime, pritet ta kenë edhe gjatë fushatës zyrtare për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti tha se nën qeverisjen e tij do të investohet për të fuqizuar bizneset dhe prodhimin vendor.

“E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin, por e mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë. E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur, e as haraqi për ta mbajtur atë. E ardhmja ku bujku e fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxitë dhe mbështet prodhimet vendore, e i mbrojnë nga konkurrenca jolojale”, tha ai në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.


Ani pse nën qeverisjen e kryeministrit tashmë në detyrë, Avdullah Hoti, u miratua një pako e rimëkëmbjes ekonomike.

Kandidati për deputet nga LDK, Faton Bislimi thotë për KosovaPress, se me LDK-në në ekzekutiv do të vazhdohet me një pako të re edhe më të fuqishme për ta rivendosur zhvillimin ekonomik në vend.

“Prioritetet tona si gjithherë do të jenë në vijë me nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në asnjë moment asnjë politikë publike e LDK-së nuk do të jetë e tillë që shkakton shkarje dhe pakënaqësi me aleatët tanë. Normalisht interesi ynë si LDK dhe si parti e qendrës së djathtë të fokusohemi në nevojat imediate që i ka vendi tash në kohë pandemie. Ajo nënkupton rimëkëmbjen ekonomike, siç e kanë bërë kryeministri në detyrë deri më tani. Por me një pako më të fuqishme dhe më stabile për të rivendosur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës si top-prioritet në sferën e ekonomisë. Krijimin e kapaciteteve të reja dhe rivitalizimin e sektorit të shëndetësisë që ai të bëhet gardian i shëndetit publik dhe të ofrojë shërbimet që qytetarët kanë nevojë për to. Normalisht edhe në sferën e arsimit që janë tri shtyllat kryesore të një shtylle të shëndosh dhe të vazhdohet me intensitet të lartë të reformave që sjellin kualitet shumë më të mirë që kemi parë deri më tani”, u shpreh Bislimi.

Ndërsa, mbi një miliard euro për rimëkëmbje ekonomike po i premton Bedri Hamza nga PDK-ja, për të cilat tha se do të krijojnë qëndrueshmëri ekonomike.

“Fokusi ynë do të jetë sektori privat, ku ne parashikojmë një fond prej mbi një miliard euro dhe ky fond do të jetë i ndarë në disa pjesë. Mbi 500 milionë euro do të jenë kontributet financiare pa kthim për ndërmarrjet private në Kosovë dhe mbi 200 milionë euro do të jenë këtë vit dhe ku si kontribut i punës së PDK-së, kjo tashmë është bërë obligim ligjor dhe e kemi në ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku PDK e ka dhënë kontributin e saj maksimal. Përveç fondit mbi 500 milionë euro, ne do të vazhdojmë me subvencionimin e normave të interesit 100 për qind të normave të interesit si për bizneset”, ka thënë Hamza.

Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se kanë ofruar pakon prej një miliard euro për shkak se i nevojitet ekonomisë së Kosovës.

“Ne do të kërkojmë nga qytetarët të na ofrojnë besimin për shkak se AAK-ja ka një program ekonomik jashtëzakonisht të mirë të përpiluar nga ekspertët. Po ashtu në fushën e sigurisë, duke marrë parasysh se e kemi edhe kandidatin për presidentin që është Ramush Haradinaj dhe një ekip që do të jetë në zbatim të gjitha politikave që do të jenë në interes të qytetarëve të Kosovës, e sidomos në zhvillimin ekonomik dhe rimëkëmbjen ekonomike duke pas parasysh gjendjen aktuale të pandemisë që ka shkaktuar një dëme sa i përket sferës ekonomike. Ne e kemi ofruar një fond të tillë se i duhet qytetarëve të Kosovës një rimëkëmbje ekonomike, i duhet një ri punësim i njerëzve që një pjesë e tyre kanë kaluar në të papunë”, thotë ai.

Disa prej partive politike tashmë veç kanë prezantuar programet politike, ndërsa fushata zyrtare pritet të zhvillohet prej datës 2 shkurt deri më 12 shkurt, ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 14 shkurt. /KP/Telegrafi/