Ekipet fituese të edicionit të shtatë të garës së robotikës Kosova Makers League kanë përfaqësuar Kosovën në Maker Faire Rome 2025, panairin më të madh të teknologjisë dhe inovacionit në Europë.

Ky panair, që zhvillohet çdo vit në Romë, mbledh krijues, shpikës dhe entuziastë të teknologjisë nga e gjithë bota për të ndarë idetë, projektet dhe risitë më të fundit në fushën e STEAM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Art dhe Matematikë).


Pjesëmarrja në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare ka qenë shpërblimi i dy ekipeve fituese të garës së robotikës, ekipi nga organizata ‘Young Innovators’, Shtime, dhe ekipi nga shkolla fillore ‘Luigj Gurakuqi’, Nashec. Gjatë qëndrimit në Romë, nxënësit patën mundësinë të eksplorojnë teknologjitë më të fundit, të njihen me krijues dhe studentë nga vende të ndryshme tëbotës, si dhe të frymëzohen nga idetë kreative të shpalosura në panair.

Gjatë vizitës në panair, ekipet fituese të kësaj gare morën pjesë në punëtori argëtuese për ndërtimin e robotëve, kodimin e robotëve të ndërtuar me LEGO si dhe krijimin e një shtëpie mekomponentë elektronik dhe kodimin e funksioneve të saj.

Një prej momenteve më të veçanta të pjesëmarrjes ishte punëtoria e organizuar nga Kosova Makers League, ku nxënësit prezantuan robotin micro: Maqueen Plus dhe demonstruan mënyrat se si mund të përdoret ky robot në fushën e edukimit dhe zhvillimin e shkathtësive të programimit. Punëtoria u prit me interes të madh nga pjesëmarrësit ndërkombëtarë, të cilët patën mundësi të mësonin më shumë për iniciativat edukative që zhvillohen në Kosovë.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, Kosova Makers League jo vetëm që promovoi punën e saj shumëvjeçare në fushën e edukimit, por edhe shfaqi potencialin e lartë të të rinjve kosovarë nëinovacion dhe krijimtari.

Ky udhëtim u mundësua falë mbështetjes së sponsorit gjeneral të Garës së Robotikës KML Open 2024-25, ProCredit Bank Kosova.