LAJMI I FUNDIT:

Edhe pse KPMShCK-ja e ktheu në punë, Kurti shkarkon Fadil Kodrën nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent – reagon avokati i tij

Edhe pse KPMShCK-ja e ktheu në punë, Kurti shkarkon Fadil Kodrën nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent – reagon avokati i tij

Kryeministri Albin Kurti, ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Fadil Kodrën, edhe pse Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, kishte vendosur ta kthyejë Kodrën në AME.

Telegrafi ka siguruar dokumentin, sipas të cilit shkarkimi i referohet gjetjeve të Raportit të Auditimit të vitit 2020, që ministri  i MPB-së, Xhelal Sveçla, i ka përdorur si arsye për pezullimin e Kodrës.

Në këto gjetje, thuhet se Kodra ka bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare.


“Me datën 13 tetor 2022, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka suspenduar Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, sipas nenit 9 par.2 të Ligjit Nr.04\L-230 për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent”.

“Vendimi i ministrit Sveçla është bazuar në raportin e brendshëm dhe të jashtëm të Auditimit, këtu përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit, të gjeturat e të cilave dëshmojnë keq menaxhim, dhe me këtë edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, vepër kjo e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë ka reaguar Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai e ka thënë se derisa procedura penale fillohet vetëm me vendim të prokurorit të shtetit kur ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepër penale.

Sipas tij, Kodra, në mënyrën më të përkryer e demonstron këtë qasje abuzuese të paligjshme dhe arbitrare.

“Në rastin konkret, për pushtetarët Sveçla dhe Kurti është i panevojshëm dhe i papërfillshëm zhvillimi i një procedure të ligjshme, prandaj nuk ka nevojë për prokurorë që të hetojë dyshime të caktuara – ata vetë hetojnë, vetë e kualifikojnë dyshimin e bazuar, vetë akuzojnë dhe vetë dënojnë. Shembulli i z. Kodra, në mënyrën më të përkryer e demonstron këtë qasje abuzuese të paligjshme dhe arbitrare” ka thënë Fetahu.

Kodra ishte shkarkuar edhe një herë nga ministri Sveçla më 15 korrik 2022. Mirëpo, pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022, vendimi i të parit të MPB-së ishte anuluar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Këshilli kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë, Por,  13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Sqarimi i avokatit Faton Fetahu

Fadil Kodra për rreth trembëdhjetë (13) vite ka shërbyer në këtë institucion, fillimisht si Departament, e pastaj edhe si Agjenci Ekzekutive. Në fakt, është ndër zyrtarët më meritor për themelimin, ngritjen dhe fuqizimin e këtij agjencie të sigurisë në vendin tonë. Sidoqoftë, fatkeqësisht kjo qeveri me qëllimin për ta kapur dhe nënshtruar Agjencinë për Menaxhimin Emergjent (AME) nga njëra anë, dhe me qëllimin për t’iu hakmarrë z. Kodra si person me integritet dhe i panënshtrueshëm përballë interesave të politikës ditore nga ana tjetër, ka marrë vendimin për shkarkim e tij në muajin korrik të këtij viti, ku pas një beteje të gjatë juridike, u konfirmua dhe u vërtetua paligjshmëria e vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme nga ana e KPMSHCK-së.

Si rezultat, ministri Sveçla u detyrua ta kthejë mbrapsht vendimin për shkarkim dhe Kodra ta kthejë në pozitën e tij të punës si Drejtor i Përgjithshëm i AME-së. Për këtë rast, siç e dini, Kodra ka parashtruar Kallëzim Penal kundër ministrit për cenim të marrëdhënies së punës, denoncim të cilin prokuroria e ka pranuar dhe i njëjti është në proces të shqyrtimit në këtë institucion.

Megjithatë, vetëm disa javë pas kthimit të z. Kodra në pozitën e tij, ministri Sveçla ka marrë vendim për suspendimin e tij nga kjo pozitë dhe po të njëjtën ditë, me vendim të Kryeministrit Albin Kurti, Kodra është shkarkuar (13 tetor 2022). Një vendim i tillë, përveç se është i kundërligjshëm, konsideroj se përbën një hakmarrje të ulët që ka për qëllim njollosjen e figurës dhe reputacionit të z. Kodra, duke e përndjekur vetëm pse nuk i është nënshtruar vullnetit politik të tyre për ta vënë këtë agjenci në funksion të agjendës partiake për të bërë punësime dhe shkarkime arbitrare dhe për të ushtruar kontroll politik mbi këtë institucion të sigurisë.

Në këtë mënyrë, vendimi i Sveçlës për suspendim, vetëm se i konfirmon katërcipërisht vlerësimet e mësipërme pasi që nëse analizohen katër arsyet e cekura të këtij vendimi për suspendim, lehtësisht mund të konstatojmë se i njëjti vendimin e tij e ka nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi sepse gabimisht konstaton dhe konkludon se suspendimi vjen për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale.

Duke ju referuar Raportit të Auditorit të para dy viteve, në të cilin, përveç gjetjeve të ndryshme dhe të shumta në MPB, ishte evidentuar se ndarja e shtesave të përvitshme të parapara me ligj për zjarrfikësit është bërë në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së, gjë e cila evidentohet si gjetje prandaj edhe është adresuar në vitin pasues (2021). Mirëpo, kjo i ka mjaftuar z. Sveçla që ta kualifikojë si keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe z. Kodra ta konsideroj kryerës të saj.

Po ashtu, arsyeja e dytë e suspendimit të z. Kodra është edhe vlerësimi se nuk janë kryer kontrollat e rregullta mjekësore të zjarrfikësve. Si gjetje, evidentohet në Raportin e Auditorit të Brendshëm të ministrisë (nëntor 2021), e cila si e tillë asnjë lidhje nuk e ka me detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-së, pasi që e njëjta është përgjegjësi ekskluzive – sipas Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim si dhe akteve nënligjore në fuqi – e Komunave, respektivisht Drejtorive Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim. Siç e shihni, një gjetje e tillë, në mënyrë tërësisht të pabazuar, vlerësohet dhe kualifikohet si një vepër penale që si kryerës e paska z. Kodra. Kjo përveç se nuk është serioze, është edhe qesharake.

Sidoqoftë, për këto dy shkelje të pretenduara, e po ashtu edhe dy të tjera tërësisht të pabazuara, dhe më pak të rëndësishme tashmë z. Kodra është i shkarkuar dhe kundër këtij vendimi, brenda afatit ligjor, do të parashtrojmë ankesë në KPMSHCK.

Siç e shihni, Xhelal Sveçla dhe Albin Kurti i mbyllin sytë përballë gjetjeve skandaloze në Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për punën e tyre gjatë vitit 2021 (MPB dhe ministri të tjera) dhe orvaten që gjetjet e karakterit administrativ të vitit 2020, të cilat tashmë veçse janë adresuar, t’i paraqesin jo si shkelje, por si vepra penale. Pra, sikurse vendimi për suspendim, po ashtu edhe vendimi i z. Kurti për shkarkim, nuk përbëjnë asgjë më shumë dhe as më pak se ushtrim të funksioneve prokuroriale, për ushtrimin e të cilave ka përgjegjësi ekskluzive dhe të vetme Prokurori i Shtetit dhe jo politikani që ushtron një pozitë zyrtare.

Aq më keq që këto dy vendime janë të kundërligjshme dhe si të tilla minojnë parimin kushtetues dhe ligjor të prezumimit të pafajësisë sepse i pari, ai për suspendim, nuk paraqet asgjë tjetër përveç një akt të mbushur me akuza të pabaza “aktakuzë”, ndërsa vendimi i dytë i KM Kurti, veçse i konfirmon ato dhe e nxjerr “dënimin” ndaj autorit të pretenduar të tyre, duke mos i lënë asnjë mundësi ligjore vlerësimit të të gjitha gjetjeve, peshës dhe rëndësisë së tyre, pa e paragjykuar epilogun e një procesi të tillë.

Derisa procedura penale fillohet vetëm me vendim të prokurorit të shtetit kur ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepër penale, në rastin konkret, për pushtetarët e mësipërm është i panevojshëm dhe i papërfillshëm zhvillimi i një procedure të ligjshme, qoftë edhe asaj penale, prandaj nuk ka nevojë për prokurorë që të hetojë dyshime të caktuara – ata vetë hetojnë, vetë e kualifikojnë dyshimin e bazuar, vetë akuzojnë dhe vetë dënojnë. Shembulli i z. Kodra, në mënyrën më të përkryer e demonstron këtë qasje abuzuese të paligjshme dhe arbitrare.

Përveç shkeljeve ligjore të karakterit material, shkarkimi i z. Kodra është përcjellë edhe me një varg shkeljesh procedurale pasi që i njëjti duke qenë zyrtar i nivelit të lartë drejtues, i nënshtrohet dispozitave ligjore për zyrtarët publikë, përveç tjerash, edhe për sa i përket procedurës së vënies para përgjegjësisë, e cila zhvillohet pranë Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë. Z, Kodra është emëruar nga Qeveria dhe vetëm përmes të njëjtës procedurë mund të shkarkohet.

Sigurisht se me autorizim të z. Kodra, do të vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve juridike, fillimisht për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për shkarkim, pastaj edhe për të nisur procedurat penale dhe civile kundër autorëve të lartcekur të shkeljeve ligjore./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Haradinaj: S'mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes sesa doracaku i edukatës seksuale

Haradinaj: S'mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes sesa doracaku i edukatës seksuale

Lajme
Pjesëtarë të FSK mësojnë për herë të parë të pilotojnë me helikopterë – stërvitjet po i kryejnë në Shqipëri

Pjesëtarë të FSK mësojnë për herë të parë të pilotojnë me helikopterë – stërvitjet po i kryejnë në Shqipëri

Lajme
Kryeziu: Nagavci do duhej të jepte dorëheqjen pas skandalit me doracakët për edukimin seksual

Kryeziu: Nagavci do duhej të jepte dorëheqjen pas skandalit me doracakët për edukimin seksual

Lajme
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Kalo në kategori